Greva në minierën e Trepçës do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave, konfirmon Sindikata e minatorëve

Minatorët e minierës së Trepçës sot kanë nisur ditën e nëntë të grevës për shkak të kushteve jo të mira të punës dhe pagave të parregullta.

Ata nuk do ta ndalin grevën deri në plotësimin e kushteve konfirmon kryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepçës.

“Po, do vazhdojë greva deri në realizimin e kërkesave nga minatorët”, tha kryesindikalisti Ibrahim Januzi për Gazetën Sinjali.

Ky i fundit ka konfirmuar se nuk kanë arritur marrëveshje me qeverinë për realizimin e kërkesave të tyre.

“Në fund patëm një takim ku nuk morëm asgjë”, tha ai këtë mëngjes.

Ai tha se nuk arritën të marrin vendimin për realizimin e kërkesave, pavarësisht se fillimisht u pajtuan që ato të realizoheshin nga Qeveria e Albin Kurtit.

“Në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi arritëm me deputetët e pozites marrveshje që të realizohen kërkesat e minatorëve”, tha Januzi i cili zbuloi se pavarësisht bisedimeve në fund nuk morën atë që dëshën.

Kështu deklaroi kryesindikalisti Januzi edhe pas tjetër takimit që është mbajtur mbrëmë në zyrat e Sindikatës me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, e që ishin Armend Muja, Arjeta Fejza, Halil Thaçi, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë.

Minatorët e Mitrovicës tash e nëntë ditë janë në grevë dhe po kërkojnë përmirësim të kushteve të punës, paga të rregullta, sigurime shëndetësore dhe largimin e kryeshefit të ndërmarrjes.

Ndryshe, këtë mëngjes ndërmarrja “Trepça” ka thënë se minatorët në Artanë dhe Kishnicë kanë ndërprerë grevën e nisur që disa ditë.

“Minatorët e Artanë dhe punëtorët e flotacionit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë e ndërpresin grevën dhe i rikthehen punës. Vendim i mençur dhe shumë i drejtë nga minatorët dhe punëtor e Kishnicës dhe Artanës”, thuhet në njoftim të “Trepçës”.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë se Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme. Nga minierat e Trepçës atë kohë janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

Me rreth 20.000 punëtorë, është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Sot i ka rreth 700 minatorë.

Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça, sot punojnë në kushte të rrezikshme për punë. Krahas shumë problemeve dhe mungesës së sigurisë, makineritë e vjetra mbi 50 vjet janë shqetësim i madh.

Produktet kryesore, të cilat i prodhon Trepça janë: koncentrati i plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve tjera.