Ish-deputeti dhe ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në një deklaratë dhënë “Front Online” ka deklaruar se afera “Pronto” ka qenë i ndërtuar mbi akuza të paqëndrueshme, me qëllim diskreditimin e figurave politike.
Grabovci thotë se që nga dita e parë e hetimeve dhe deri më sot, ai ka qenë i hapur për bashkëpunim me drejtësinë dhe me EULEX-in, duke theksuar se mbi 7 vite hetim nuk prodhuan asnjë provë.
“Për këtë aferë të inskenuar, edhe para Gjykatës e Prokurorisë e kam thënë, dhe e them sot e çdo herë se nëse ka dikush që mund të konstatojë se unë apo familja ime ka kursyer diçka nga vetja për t’ia dhënë këtij vendi, jam i gatshëm t’i shtrij dorën gjithkujt. Kam dhënë maksimumin tim. Kam qenë i gatshëm para institucioneve të drejtësisë e EULEX që të përballem me të gjitha e të bashkëpunojë për të vërtetën mbi 7 vite kam qenë në hetim dhe s’kanë mundur ta gjejnë asnjë rast”, u shpreh ai.
Ai ka ndërlidhur gjenezën e aferës me kohën kur ishte pjesë e kabinetit qeveritar të Hashim Thaçit, ku sipas tij, Ministria e Transportit ishte më e suksesshmja.
“Ministria e Transportit është akuzuar për keqpërdorim e cila ka qenë një nga ministritë më të suksesshme që kam qenë më fat e nder që kam qenë pjesë e kabinetit të qeverisë Thaçi 1 që identifikohet me ndryshime të mëdha dhe me hedhjen e themeleve të zhvillimit të vendit. Ministria ka qenë shembull që ka krijuar vepra dhe dikujt i ka pengu dhe kanë skenuar një proces të paqenë, akuza për korrupsion që kanë qenë të paqëndrueshme”, ka deklaruar Grabovci.
Ai shtoi se të gjitha përgjimet e publikuara në kuadër të aferës nuk dëshmojnë asnjë përfitim as personal e as familjar.
“Kurrë askush s’ka përfituar as familjarisht as partiake nga unë të gjithë ato përgjime që ka ndodh nuk mund askush të gjejë se Grabovci i ka bërë dikujt padrejtësi. Kam thënë që me kohen do të shpërfaqen ligësitë e njerëzve që po bëjnë përpjekje që të kurdisin afera të paqenë për të ndërtuar një kauzë të rrejshme për të përbaltur figurat e institucionet”, ka thënë ai.