Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet.
Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.
Një numër i madh i këtyre rasteve përcillen edhe me sulme e dhunë. Kështu ka ndodhur edhe sot, në rrugën “Besim Vokshi” në Gjakovë, ku është grabitur një 42-vjeçar.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima u përballë me disa persona, të cilët e sulmuan duke e rrëzuar përtokë, me ç’rast arritën t’ia merrnin telefonin dhe kuletën. Megjithatë këtë të fundit ia kthyen, sepse e gjetën thatë.
Viktima nuk ka arritur t’i identifikojë të dyshuarit, por me rastin e denoncimit të rastit ka përshkruar se si ndodhi ngjarja, në orët e pasdites.
Sinjali mëson se tashmë edhe Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për raportimin e këtij rasti dhe ka dhënë urdhër që të nisin hetimet për veprën “Grabitje”, derisa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të kapen të dyshuarit.