Në prill të vitit të kaluar , shoferja, atëbotë 24-vjeçare, e VW Golf po udhëtonte në autostradën A1 drejt Cyrihut.
Në daljen Baden-West, të cilën ajo donte të merrte, një burrë po kalonte rrugën duke folur në telefon, transmeton albinfo.ch. Për pasojë, makina ka goditur 34-vjeçarin kosovar.
Ai kishte pësuar plagë aq të rënda nga përplasja, saqë atë mëngjes kishte vdekur në spital. Kur ka hyrë në autostradë, ai ka qenë i dehur dhe kishte konsumuar drogë, thuhet në dokumentet e akuzës.
Të mërkurën (dje), gruaja tashmë 25-vjeçare, duhej të përgjigjej para gjykatës së qarkut të Badenit, Kantoni Aargau, shkruan argowia today. Ajo u akuzua për vrasje nga pakujdesia.
Në aktakuzën e Prokurorisë publike të kantonit Aargau thuhet se e akuzuara, në momentin e përplasjes ka qenë duke vozitur në rrugë të thatë dhe të pandriçuar me shpejtësi rreth 90 deri në 100 kilometra në orë.
Nëse e akuzuara do t’i kishte kushtuar vëmendje rrugës kur voziste në korsinë e ngadaltë në daljen Baden-West, ajo do ta kishte parë këmbësorin me kohë dhe do të ishte në gjendje të frenonte.
Prandaj, përplasja ishte e parashikueshme për shkak të pakujdesisë dhe mund të ishte shmangur, vazhdon aktakuza, përcjell albinfo.ch. Për këtë arsye, Prokuroria publike ka kërkuar dënim me burg me kusht prej 7 muajsh dhe gjobë prej 2000 frangash.Por gjykata nuk e ka respektuar kërkesën e prokurorisë.
Shoferja e aksidentit u shpall e pafajshme në seancën e së mërkurës. Nuk ishte e mundur të frenohej në kohë, sipas gjykatësit. Gruaja – e cila nuk ka pranuar t`i përmendet emri – u shfaq vetëm pjesërisht e lehtësuar, duke folur për Tele M1 pas gjyqit: “Jam shumë e lumtur që u lirova. Por, është ende diçka që më duhet ta bart vete gjatë gjithë jetës…”
Avokati i saj, Markus Leimbacher, shton: “Ajo kishte frikë nga gjyqi. Një vit e gjysmë (nga ngjarja tragjike) ishte shumë stresues për të. Ajo nuk jeton më në rajon, por është zhvendosur në një kanton tjetër.
Përveç kësaj, ajo ka ndërruar vendin e punës në mënyrë që të fitonte një distancë nga ngjarja. Jam shumë i kënaqur me këtë vendim”.Leimbacher kritikon gjithashtu zyrën e prokurorit publik, transmeton albinfo.ch.
Ai nuk mund ta kuptojë pse u zhvillua gjykimi: “Unë jam i mendimit se prokurori publik është dashur ta ndërpresë këtë procedurë para se të ngrihet aktakuza. Çdo vendim tjetër do të kishte nënkuptuar që një shofer në autostradë do të duhej të presë që ndonjë person do të kalonte nëpër rrugë (autostradë) në çdo kohë.