Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurve K.H, O.K dhe L.D, për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, e cili tha se masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 muaj, prej datës 12.07.2023 deri me datë 12.09.2023.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurve K.H, O.H dhe L.D, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurve K.H, O.K dhe L.D, ashtu që masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj, prej datës 12.07.2023 deri me datë 12.09.2023”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit tre të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, dhe e njëjta ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë.
Ndërsa, më 12 maj të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur që të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve , e njëjta masë ishte zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej dy muajsh.
Tre të dyshuarit u arrestuan më 12 prill, ndërsa Prokuroria Speciale më pas njoftoi se të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H., dhe se të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka reaguar duke thënë se sulmet ndaj gazetarëve dhe ndërhyrja në pavarësinë dhe lirinë e tyre të shprehjes, shkelin parimet thelbësore demokratike.
Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili kërkoi nga institucionet që rastin ta trajtojnë me seriozitet. Njëjtë kërkoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Sulmin ndaj Sylës e ka dënuar edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias. Ndërsa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka thënë se dhuna fizike ndaj gazetarëve po shndërrohet në një dukuri dhe se kësaj dhune po i paraprinë fillimisht një linçim publik medial. KMDLNj e ka cilësuar sulmin ndaj Sylës si sulm ndaj lirisë së shprehjes.