Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka marrë një vendim skandaloz në rastin e të akuzuarit Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”.
Ai është i përfshirë në vrasjen e policit Triumf Riza në vitin 2007 e njihet edhe si bashkëpunëtor i Enver Sekiraqës në kohën kur ndodhi tragjedia.
Në seancën e sotme, gjykata ka vendosur për lirimin e tij nga paraburgimi. Kjo masë është zëvendësuar me masën e dorëzanisë, me propozim të avokatit të të pandehurit.
Po ashtu, sipas vendimit të gjykatës që ka siguruar Paparaci, i pandehuri obligohet që në emër të dorëzanisë të deponojë në arkën e kësaj gjykate shumën prej 100 mijë eurove.
Gjithashtu, paralajmërohet se i pandehuri do të paraburgoset dhe dorëzania do të hiqet nëse pas thirrjes me rregull nuk paraqitet dhe mungesën nuk e arsyeton, nëse përgatitet të ikë ose kur gjatë kohës sa është në liri paraqiten arsye të tjera ligjore në paraburgimin e tij.
Kujtojmë se “Liza” për 15 vite i është shmangur drejtësisë.
Që nga rasti tragjik, ai ka qenë në arrati, për t’u arrestuar më pas në korrik të këtij viti në Batllavë të Podujevës.
Rrahim Abdullahu, Ilir Abdullahu, Fitim Avdiun dhe Arben Berishën janë katër personat që dyshohet të kenë privuar nga jeta policin Triumf Riza më 30 gusht 2007 në Prishtinë./Paparaci