Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se shkarkimi i tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosvoës është bërë pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në.
Gjykata Kushtetuese tha se për pasojë, në nxjerrjen e këtij vendimi, kuvendi i ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse, dhe për më tepër ka cenuar pavarësinë e RTK-së.
“Për pasojë, në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar, Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse të përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe për më tepër, ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publikë, roli i të cilit është thelbësor për lirinë edhe pluralizmin e medieve në një shoqëri demokratike, në kundërshtim me vlerat e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Thënë këtë, legjitimimi kushtetues i një vendimi të Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të bordit të transmetuesit publik në tejkalim të autorizimeve ligjore, do të përbënte një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen e shtetit në pavarësinë dhe autonominë e transmetuesit publik, përfshirë lirinë dhe pluralizmin e medieve në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Tutje, bëhet e ditur se akgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron se ky konstatim i gjykatës nuk ka efekt prapaveprues dhe bazuar në parimin e sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta, përkatësisht anëtarëve të rinjt të Bordit të RTK-së, zgjedhja nga kuvendi i të cilëve nuk është kontestuar para gjykatës.
“Për më tepër, Aktgjykimi, duke u referuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, sqaron që Gjykata nuk ka kompetencë për akordimin e kompensimit përkatës kur konstaton shkelje kushtetuese, por që një sqarim i tillë, nuk paragjykon të drejtat e anëtarëve të shkarkuar të Bordit të RTK-së përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit, për të ndjekur procedurat përkatëse para gjykatave të rregullta. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim mospajtues”, thuhet në njoftim.