Gjykata Kushtetuese: Avni Dehari shkeli Kushtetutën, të pavlefshme seancat nga 27 qershori deri më 6 korrik

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të ri lidhur me ngërçin institucional, ku ka vendosur se deputetët duhet të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur, teksa seancat e mbajtura deri tash janë shpallur të pavlefshme. 

Sipas Kushtetueses, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit. Kushtetuesja e ka publikuar vetëm njoftimin rreth aktgjykimit, teksa Aktgjykimin ka paralajmëruar se do ta publikojë së shpejti dhe se deri atëherë vazhdon masa e përkohshme për seancë.

TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.