Gjykata kthen në punë gruan e heroit Ilaz Kodra, Posta detyrohet të ia paguajë 7 mijë euro

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim në favor të Kimete Kodrës, gruas së heroit, Ilaz Kodra, për rikthim në punë në Postën e Kosovës.

Kësisoj, është vërtetuar se menaxhmenti i Postës ka kryer shkelje të kontratës së punës, njëkohësisht është vërtetuar pafajësia e zonjës Kimete.

Në vendimin e nxjerrë më datë 27 shkurt, Posta e Kosovës detyrohet që Kimete Kodrës t’ia kompensojë diferencën në pagat të papaguara prej ditës së largimit të përkohshëm deri në kthimin e saj në vendin dhe pozitën e njëjtë të punës.

Po ashtu, në bazë të vendimit të gjykatës, Posta detyrohet Kimete Kodrës t’ia paguajë shumën prej 7 mijë euro “në emër të dëmit jo material për dhimbje shpirtërore”.

Gjithashtu është vërtetuar se vendimi i Postës për shqiptimin e masava disiplinore ishte në kundërshtim të plotë sipas ligjit të punës, rregulloret e brendshme e të paditurës, kontratën e punës, dhe me performancën e kënaqshme të paditëses për arsye paditësja edhe në datën e pretenduar me vendimin e kundërligjshëm ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e saj ashtu që asnjëherë nuk ka qenë e përfshirë në keqpërdorimin e mjeteve financiare të Jute Credites”.

Po ashtu është vërtetuar se nuk qëndron as pretendimi i të paditurës së paditësja ka qenë përgjegjëse për rastin e Veli Malës pasi që gjatë shqyrtimit gjyqësor e paditura nuk kishte ofruar asnjë provë se i njëjti kishte fshehur apo ishte shpallur përgjegjës nga komisioni disiplinor i të paditurës”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Kodra deri kur u suspendua nga Bordi i emëruar nga Qeveria Kurti, kryente funksionin e Koordinatores të Zyrave të Postës në Skënderaj.

Në deklarata për media, ajo kishte thënë se suspendimi i saj ishte krejtësisht joligjor.

Sipas saj, bordi aktual, ishte i ndikuar komplet nga qeveria Kurti, ashtu siç thotë se kanë qenë të ndikuara nga politika, edhe bordet e mëparshme.

Kodra ka sqaruar se një zyrtar i Postës në Skënderaj, kishte marrë një sasi të hollash, duke mos i deponuar në bankë siç e parashihte ligji, por i kishte marrë për vete.

Në atë kohë nuk pata qenë në punë, sepse më 5 tetor 2018 ka qenë rivarrimi i Ilazit. Gjatë inspektimeve është vërejtur se ka pasur një parregullsi qysh nga viti 2018. Një zyrtar financiar bashkë me zyrën në Prishtinë, thuhej se kanë bashkëpunuar. Ky zyrtar që ka pasur autorizim i ka tërheqë disa mjete kinse për t’i dërguar në një bankë në Mitrovicë. Ai kish pasë ardhë i ka marrë paret, arkëtari që ka qenë në detyrë zyrtare e ka përgatitë këtë proces, edhe pastaj paratë e Postës nuk janë deponuar në bankë. Për 4 vjet me radhë kemi pasur inspektime, kush e fshehi këtë rast? As nuk kam qenë në dijeni, të gjitha këto janë bërë fshehur. Me pas dashtë privilegje, kryeshefe isha bë”, kishte rrëfyer Kimete Kodra.

Ajo po ashtu ishte shprehur e bindur se kryeministri Kurti kishte qenë i njoftuar për rastin e saj.