Gjykata konstaton me aktgjykim 156 faqësh: Enver Sekiraqa qëndron pas vrasjes së Triumf Rizës

Kur e ka dënuar me 25 vite burgim, gjykata e ka konstatuar se Enver Sekiraqa qëndron prapa vrasjes së policit Triumf Riza për motive të hakmarrjes si rezultat i një konflikti që fillon më 2000-2001.

Sekiraqa vazhdon të mbetet në arrati pavarësisht se ka një vendim të Apelit që e kishte kthyer në paraburgim pasi fillimisht shkalla parë e kishte lënë të lirë kur e kishte shpallur aktgjykimin dënues ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktgjykimin prej 156 faqesh të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me akuzën ndaj Sekiraqës për nxitjen e vrasjes së policit të ndjerë Triumf Riza, përfshihen deklaratat e rreth 40 dëshmitarëve dhe administrimi i 85 provave materiale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatës, konflikti që çoi në vrasjen e Rizës filloi në vitet 2000-2001, kur ai, si zyrtar i Policisë së Kosovës, u kërcënua nga Enver Sekiraqa.

Gjithnjë sipas aktgjykimit, Sekiraqa dhe bashkëpunëtorët e tij e përndoqën dhe kërcënuan vazhdimisht Rizën, fillimisht duke i shfryrë dhe djegur gomat e makinës, e ndjekur me automjete të blinduara dhe i dogjën makinën “Land Rover”.

Gjykata ka konstatuar se rivaliteti u përshkallëzua kur Riza mori në mbrojtje një grua me të cilën kishte filluar një lidhje dashurie, duke shkaktuar hakmarrjen e Sekiraqës.

Gjetje tjetër është se Sekiraqa u përfshi në një konflikt të armatosur me Rizën dhe shokët e tij në fund të vitit 2005, dhe përsëri në vitin 2006 pas një incidenti në Ferizaj.

Sipas gjykatës, dy javë para vrasjes, Sekiraqa organizoi një atentat për të rrëzuar makinën e Rizës në fshatin Stagovë.

Aty konstatohet se tri ditë para vrasjes, Riza u përcoll nga bashkëpunëtorët e Sekiraqës, të cilët raportonin për çdo lëvizje.

Gjykata gjen se më 30 gusht 2007, vrasja e Rizës u organizua në detaje, ku dorasi A.B., nën urdhrin e Sekiraqës, e qëlloi atë njëmbëdhjetë herë, duke përmbushur hakmarrjen e Sekiraqës.

Gjykata ka theksuar se është pakontestueshme se polici Triumf Riza mbeti i vrarë, autori i vrasjes ishte Arben Berisha dhe i përfshirë në këtë vrasje ishte edhe F.A., bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata ka sqaruar gjithashtu se edhe Gjykata Supreme e Kosovës, në vendimin ndaj Arben Berishës, ka konfirmuar se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrëse të Enver Sekiraqës ndaj Triumf Rizës.

“Pra gjykata vërteton edhe një fakt thelbësor në rrjedhën e ngjarjes, se me aktgjykim të Gjykatës Supreme është konstatuar se vrasja ishte e organizuar dhe se për vrasjen e T.R tani janë dënuar dy punëtor që kanë punuar për E.S ndërsa ishin të përfshirë edhe personat me nofkën “Rr” e “L” që ishin në arrati pikërisht për shkak të kësaj vrasje”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata në vendimin e saj përfundimtar ka arritur në përfundimin se Sekiraqa qëndron prapa vrasjes së Rizës.

Në vendim gjykata gjithashtu ka përmendur raste ndërkombëtare si “Alberti kundër Italisë” dhe “Lisica kundër Kroacisë” për të mbështetur vendimin e saj bazuar në prova rrethanore.

Në fund, gjykata ka caktuar dënimin prej 25 viteve burgim, përmes të cilit Sekiraqa duhet të kuptojë rëndësinë e veprës penale dhe të reflektojë që të mos shkaktojë më veprime të ndaluara në të ardhmen.

Vendimi i përpiluar në këtë rast del të jetë bërë nga anëtari i dytë i trupit gjykues, gjykatësi Ngadhnjim Arrni pasi që kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi ishte suspenduar nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës pasi që në shpallje të aktgjykimi kishte liruar nga masa e arrestit shtëpiak Sekiraqën e që i njëjti më pas ishte arratisur.

Ndryshe Gjykata Supreme e Kosovës vendimin për kthimin e Sekiraqës në paraburgim nga ana e Apelit e kishte konsideruar të ligjshëm me arsyetimin se mund t’i shmanget dhe arratiset.

“Betimi për Drejtësi”, më 25 maj 2024, ka publikuar hulumtimin “Sekiraqa vs Shteti”, ku ishte treguar se si Sekiraqa ishte lënë i lirë ndërsa tash po konsiderohet i arratisur.

I akuzuari Enver Sekiraqa, më 3 maj 2024, pas kthimit të rastit dy herë në rigjykim u dënua me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Sekiraqa vazhdimisht ka mohuar se ka gisht në vrasjen e Rizës derisa kishte deklaruar se akuzat ndaj tij janë politike.