Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarit të cilët kanë kërcënuar me vdekje pjesëtarët e KFOR-it në fshatin Lubiçevë të Prizrenit.
Të pandehurit me inicialet A.K dhe I.H dyshohet të kenë kryer veprën penale Rrezikimi i Personelit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i Personelit në marrëdhënie me to në bashkëkryerje.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K dhe I.H dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1,1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të lartcekur”, thuhet në komunikatën për media.
Të pandehurit A.K dhe I.H dyshohen se në bashkëkryerje, me datë 26.02.2024 rreth orës 10:00, në një lokal në fshatin Lubiqevë, në Komunën e Prizrenit, kishin ofenduar dhe pastaj kishin kanosur seriozisht pjesëtarët e KFOR-it Italian se do t’i vrasin, e të cilët janë në mision paqeruajtës në Kosovë me mandat të OKB-së.
“Dhe duke marr për bazë faktin se vepra penale për të cilën dyshohen ka ndodhur ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët veprojnë në Kosovë për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës, andaj ekziston rreziku real se me qëndrimin e tyre në liri, të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo të përfundojnë veprën e kanosur dhe sipas vlerësimit të gjykatës caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurve në këtë fazë të procedurës penale është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për zbatim me sukses dhe efektiv të kësaj procedure penale dhe sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, thuhet në komunikatë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.