Visar Geci, këshilltari i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama ka përdorur gjuhë të rëndë fyese, denigruese dhe seksiste ndaj gazetares së Kohës, Meridiana Statovci.
Kjo pas një reagimi që gazetarja Statovci bëri në Facebook rreth ndalimit të punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” nga Inspektorati i Punës.
Aty këshilltari i Ramës eskaloi në gjuhë seksiste dhe fyerje të rënda ndaj gazetares.
Këtë gjuhë të Gecit e dënoi sot edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Në reagimin e AGK-së thuhet se sulmi verbal ka ardhur pas raportimeve të gazetares mbi punimet në rrugën “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
AGK e ka cilësuar këtë gjuhë si të papranueshme dhe kërkoi nga kryetari Përparim Rama që të distancohet publikisht nga deklaratat e këshilltarit të tij.
AGK-ja thekson se sulmet e tilla vështirësojnë punën e gazetareve dhe krijojnë mjedis të pasigurt, veçanërisht kur drejtohen ndaj grave në media, duke u përpjekur të minojnë punën dhe integritetin e tyre profesional.
AGK-ja po ashtu u ka bërë thirrje institucioneve dhe shoqërisë civile që të dënojnë gjuhën denigruese dhe të mbështesin lirinë e medias në Kosovë.