Gjuajti në një aheng gjatë verës, policia i sekuestron dy armë një banori të Kërvasarisë së Malishevës

Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës ka konfirmuar sekuestrimin e dy armëve të një të dyshuari që kishte gjuajtur me armë zjarri gjatë një ahengu në muajin gusht.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin përkatës përmes një komunikate për medie, përcjell 07 Press.

Veç kësaj, u publikua edhe fotografia e armëve të sekuestruara.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Malishevë, në kuadër të angazhimeve për krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, pasi kishte pranuar informatë se i dyshuari I. B., shtetas i Republikës së Kosovës kishte armë në posedim të paautorizuar dhe gjatë muajit gusht në një aheng familjar kishte shtënë me armë, ka realizuar kontroll në vendbanimin e tij në fshatin Kërvasari-Malishevë”, thuhet në raport.