Gjermania: Ne dëshirojmë ta shohim Kosovën në KiE, por futja në agjendë varet nga veprimet e Qeverisë për Asociacionin

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të mblidhet me datat 16 dhe 17 maj.

Ambasada Gjermane në Prishtinë kanë thënë se Berlini zyrtar dëshiron ta shoh Kosovën në Këshill të Evropës, megjithatë potencojnë se vendimi final nëse anëtarësimi i Kosovës do të jetë në agjendë ose jo, do të merret pas një vlerësimi të plotë të veprimeve të Kosovës, përfshirë edhe hapat drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Kosova ka bërë premtim për themelim.

“Qeveria gjermane dëshiron ta shohë Kosovën në Këshillin e Evropës. Megjithatë, vendimi përfundimtar – nëse kjo pikë duhet të jetë në rend dite – do të merret pas një vlerësimi të plotë të veprimeve të Kosovës, duke përfshirë hapat e saj drejt krijimit të ASMM-së për të cilën Kosova është zotuar”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Ambasadori ka thënë se nuk i takon Gjermanisë të vendosë nëse aplikimi për anëtarësimi do të jetë në Agjendë të Komitetit të Ministrave apo jo.

“Nuk i takon Gjermanisë të vendosë nëse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave apo jo”, ka thënë ai.