Gjenerali amerikan: Do të vazhdojmë ta përkrahim FSK-në

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovë, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim Zëvendëskomandantin e ushtrisë amerikane për Evropë dhe Afrikë, gjenerallejtënant Andrew Rohling.

Siç njofton FSK, të dy u pajtuan për intensifikim të bashkëpunimit dhe konkretizim të projekteve, që qëllim kanë zhvillimin profesional dhe të FSK-së.

“Gjeneral Jashari, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritanishëm mes FSK dhe Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme, si në fushën e trajnimeve, po ashtu në projekte të ndryshme infrastrukturore. Të dy Gjeneralët u dakorduan për intensifikim të bashkëpunimit dhe konkretizim të projekteve, të cilat kanë për qëllim zhvillimin profesional dhe taktik të FSK-së”, thuhet në njoftim në Facebook.

Tutje, njoftimi bën me dije se Jashari e ka njoftuar Rohlingun më të arriturat e deritanishme të ushtrisë së Kosovës.

“Në fund të takimit, gjenerali amerikan ka potencuar që Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë do të vazhdojë të jetë përkrahëse e FSK-së, në ngritjen e kapaciteteve ushtarake dhe nderveprueshmerisë me forcat amerikane”, thuhet në njoftim.