Po vazhdojnë gërmimet në kërkim të personave të zhdukur me forcë nga lufta e fundit në Kosovë.
Pas përfundimit të gërmimeve në Bishtazhin të Gjakovës, në zbatim të Planit të Punës, pas konsultimeve ndërinstitucionale ekipet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq sot kanë vazhduar me gërmimet në lokacionin e varrezave në lagjen “Arbanë” të Prizrenit.
Andin Hoti ka njoftuar se në lagjen “Arbanë” të Prizrenit janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se janë të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, transmeton Zeri.info.
“Gërmimet e filluara paradite kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e eshtrave (mbetjeve mortore) të minimumi një individi, viktimë e luftës, që potencialisht vazhdon të jetë në Listën e Personave të Zhdukur. Pas zhvarrimit do të vazhdohet me procedurat e nevojshme të ekzaminimeve mjekoligjore dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur”, thuhet në njoftimin e Hotit.