Festat fetare njihen si ditë kur duhet të mbizotërojë paqja dhe harmonia familjare. Por në një familje në Gjakovë ndodhi e kundërta dje, në ditën e parë të Kurban Bajramit.
Edhe këtë herë, viktimë e dhunës në familje ishte një vajzë, e cila u përballë me burrin me të cilin bashkëjeton.
Burimet e gazetës brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima, ndaj të cilës burri i saj ushtroi dhunë është një 17-vjeçare, e cila kërkoi ndihmën e Policisë të mërkurën.
Sinjali mëson se konflikti mes tyre nisi pasi ajo i kërkoi burrit, i cili po ashtu është 17-vjeçar, ta dërgojë te familja e saj për festën e Bajramit. I dyshuari përveç që refuzoi, asaj i tha edhe të largohet nga shtëpia e më pas e sulmoi fizikisht.
Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari e ka kapur për flokësh e më pas e ka dërguar me taksi te shtëpia e familjes së saj.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet, duke e mohuar se ka ushtruar dhunë fizike.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Dhunë në familje’.