Ecja nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës është shndërruar në sport ekstrem për vajzat dhe gratë. Kjo për shkak të mungesës së sigurisë pasi që ato gjatë kohës që lëvizin vetëm, vazhdimisht hasin në persona të dyshimtë të cilët i ngacmojnë ato e për më tepër marrin guximin edhe t’i ngacmojnë, sulmojnë dhe dhunojnë seksualisht.
Kështu ka ndodhur së fundi në qytetin e Gjakovës, ku një person dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 37-vjeçare.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 36-vjeçari në mënyrë të vazhdueshme ka provuar të kontaktojë me viktimën, duke i dërguar përmes rrjeteve sociale fotografi me përmbajtje ngacmuese.
Ditë më parë ai shkoi edhe një hap më tej, duke shkuar te banesa e 37-vjeçare, ku dyshohet se iu afrua me veturë dhe me anë të kërcënimeve i kërkoi që të shkojë me të.
Përballë kësaj situate, gruaja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë tmerrin të cilin është përballur për sa kohë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor. Ai gjatë intervistimit ka mohuar ta ketë kërcënuar apo ngacmuar 37-vjeçaren.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për dy veprat penale ‘Ngacmim seksual’ dhe ‘Kanosje’. I njëjti është dërguar në mbajtje.