Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka refuzuar të deklarohet për draft statutin e Asociacionit, pikë kjo e “nxehtë” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë mbajtjes së Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”, i organizuar nga MPJD, Gërvalla u pyet për këtë çështje që siç duket e nervozoi, raporton Gazeta Sinjali.
Gërvalla nuk pranoi të deklarohej, duke e quajtur industri të thashethemeve publikimin e disa drafteve që thuhet se janë të Asociacionit.
“Ju të mediave e dini më mirë se si i merrni e nga i merrni. Unë si ministër e Punëve të Jashtme nuk kam publikuar asnjë draft. Gëzohem nëse mediat gëzohen për këtë pjesë shumë të rëndësishme të qytetarëve tanë që munden të kontribuojnë. (iu referohet forumit ndërkombëtar “Ulpiana”). Kur dikush nuk thotë as po, as jo, nuk mundeni të interpretoni në një drejtim. Nuk është fer dhe nuk është serioze. Unë nuk kam publikuar asnjë draft dhe nuk jam përgjegjëse për industrinë e thashethemeve.”- tha Gërvalla.