Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se është optimiste se do të arrihen votat në Asamblenë Parlamentare.
“Po shkojmë për optimizëm në këtë seancë dhe presim dhe shpresojmë për një votë masive e cila do të konfirmohet edhe njëherë se Kosova ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm në sundimin e ligjit, në respektim të drejtave të njeriut, dhe presim që e njëjta gjë të konfirmohet sot fuqishëm”, u shpreh Gërvalla nga Strasburgu.
“Nuk mund të them se Kosova i ka votat, do ta ndjekim tash seancën dhe do të shohim a i ka votat”.
Në këtë sesion pranveror, i cili është i një rëndësie historike për Kosovën, do të diskutohet raporti i raportueses së Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve prezentë për kalimin tutje.
Në qoftë se votimi është i suksesshëm, i njëjti raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj të këtij viti.