Gërvalla në Strasbourg për takime dhe koordinim me aleatët; Serbia po bën propagandë të egër

MPJD ka njoftuar se ministrja Gërvalla po qëndron në Strasburg të Francës “për të zhvilluar takime dhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët të cilët po e mbështesin Kosovën në rurgën drejt anëtarësimit në KiE.

Atje nesër do të zhvillohet diskutimi dhe votimi për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Pas miratimit me sukses të raportit të raportueses për Kosovën, znj. Dora Bakoyannis, nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, përmes të cilit u konstatua që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, të martën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të zhvillohet diskutimi dhe votimi për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministrin, z. Kreshnik Ahmeti, po qëndrojnë në Strasburg të Francës, për të zhvilluar takime dhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.”

Në Strasburg po qëndron edhe delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

MPJD thotë se propaganda dhe fushata e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE është “jashtëzakonisht e egër” dhe bie në kundërshtim me marrëveshjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Propaganda dhe fushata e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht e egër dhe bie në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e vitit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Por shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të KiE-së vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës.