Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla sot është takuar me kryetarin e grupit të deputetëve gjermanë në Këshillin e Evropës, Frank Schwabe.
Ajo gjithashtu takoi edhe dy deputetë të Partisë Liberale Gjermane (FDP) në Bundestagun gjerman, Ulrich Lechte dhe Thomas Hacker.
Gjatë këtij takimi temat në fokus ishin për proceset politike dhe siguria në Kosovë dhe rajon.
Tutje homologët gjermanë theksuan përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën në rrugëtimin e saj të anëtarësimit në NATO, BE dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.
Gërvalla nuk la pa përmendur edhe arritjet e Kosovës në ekonomi, demokraci, sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, thuhet në postimin zyrtar.
Njoftimi i plotë nga MPJD:
“Mbështetja e Gjermanisë dhe bashkërendimi i veprimeve në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ishin temat në fokus të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla pati me kryetarin e grupit të deputetëve gjermanë në Këshillin e Evropës, Frank Schwabe.
Ministrja Gërvalla takoi edhe dy deputetë të Partisë Liberale Gjermane (FDP) në Bundestagun gjerman, Ulrich Lechte dhe Thomas Hacker, me të cilët u diskutuan proceset politike dhe siguria në Kosovë dhe rajon, bashkërendimi dhe mbështetja e Kosovës në rrugën e anëtarësimit të saj në BE, NATO dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.
Gjatë këtyre takime të ndara, Ministrja Gërvalla i njoftoi deputetët e Bundestagut me të arriturat mbresëlënëse të Kosovës në ekonomi, demokraci, sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.”