Zëvendëskryeministri dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla duke folur për sulmin e 24 shtatorit, ka kritikuar ndërkombëtarët, duke thënë se nuk e kanë dëgjuar vendin kur deklarohej se në veri po kontrabandohen armë.
Ajo në “Euronews.al”, citohet të ketë thënë se partnerët dhe aleatët e vendit nuk ishin të gatshëm ta dëgjojnë Qeverinë.
“Prej muajsh i kemi thënë partnerëve dhe aleatëve tanë. Kemi pasur aksione policore ku janë ndaluar mjete të mbushura me armë. Por e kemi ndjerë se ata nuk kanë qenë të gatshëm të na dëgjojnë. Ne mendojmë se ata kanë dashur ta interpretojnë këtë si mënyrë që Kosova të dilte nga procesi i dialogut dhe nuk e kanë parë që ne jemi pala e vetme e interesuar për të gjetur një zgjidhje.” – tha ajo.
Gërvalla më pas, ka vijuar edhe me kritika ndaj emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pasi sipas saj, ai nuk ka treguar se ka strategji appo plan për udhëheqjen e dialogut Kosovë-Serbi.
“Nuk jam unë personi që duhet t’i tregoj BE, Brukselit dhe vendeve anëtare se kush i përfaqëson ata në këtë proces, por kjo nuk është hera e parë që Lajçak ka treguar se nuk ka një strategji apo plan sesi ta udhëheqë dhe ndërmjetësojë dialogun. Besoj që shtetet anëtare do ta konsiderojnë këtë gjë dhe uroj të kemi një proces dialogu që mund të sjellë progres.” – ka deklaruar kryediplomatja.