Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, sot është takuar me ministrin Federal të Mbrojtjes të Gjermanisë, z. Boris Pistorious, në prag të vizitës së tij në Republikën e Kosovës.
Bashkëpunimi mes dy shteteve në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, harmonizimi i politikave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe integrimi i Kosovës në NATO, ishin temat kyçe të takimit të punës mes tyre, siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një deklaratë për media.
Gërvalla e njoftoi Pistorius rreth “situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, veprimeve të vazhdueshme kërcënuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave të shpejtë dhe të vendosur për ruajtjen e paqes së brishtë në rajon”.
Ajo falënderoi ministrin gjerman për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në veçanti për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve si dhe kontributin e Gjermanisë të dhënë prej vitesh në kuadër të KFOR-it.