Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, ka thënë se Ballkani dhe shtetet e Perëndimit kanë nevojë për një strategji të re.
Në një konferencë të përbashkët paraditen e së enjtes me kryediplomatin britanik, David Cameron, Gërvalla tha se demokracia dhe sundimi i ligjit duhen zbatuar konkretisht dhe nuk duhet të mjaftohemi thjesht me fjalë të bukura
Sipas saj, recetat e vjetra para sulmit të Rusisë kundër Ukrainës për zgjidhje të sfidave dhe konflikteve, nuk funksionojnë më.
“Ekziston një konsensus i fuqishëm shoqëror me një përkrahje mbi 90% për integrimin në strukturat euroatlantike. Ballkani dhe Evropa, pra Perëndimi, kanë nevojë për një strategji të re, pasi ajo e vjetra është duke perënduar. Pyetja qendrore në shumë pjesë të botës, por sidomos këtu, për shkak të gjeografisë në kuadër të NATO-s do të jetë se kush është me Perëndimin dhe kush jo. Demokracia dhe sundimi i ligjit duhen zbatuar konkretisht dhe nuk duhet të mjaftohemi thjesht me fjalë të bukura. Recetat e vjetra para sulmit të Rusisë kundër Ukrainës për zgjidhje të sfidave dhe konflikteve, nuk funksionojnë më. Perëndimi ka qenë gjithmonë i suksesshëm atëherë kur ka pasur një qëndrim të qartë dhe të vendosur. Perëndimi ka qenë i fortë politikisht dhe ekonomikisht kur ka vepruar me vendosmëri dhe bazuar në veprimet e tij të palëkundshme përballë një Moske agresive dhe jo me kompromise të dobëta dhe joparimore“, tha Gërvalla.