“Gazetarja më pyeti” – Kurti: Nuk ka pse rrëzohet qeveria, por nëse do opozita shkojmë në zgjedhje

Albin Kurti ka thënë se nuk ka arsye për rrëzimin e qeverisë së tij, por tha se është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme nëse kjo është dëshirë e opozitës.

Në një konferencë për media në tre-vjetorin e qeverisë, kryeministri tha se shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk është qëllim i tij, por dëshirë e opozitës.

Së pari, unë nuk kam deklaruar ashtu por jam përgjigjur në pyetjet që mi kanë bërë gazetarët. Po mos të ekzistonte pyetja e gazetares, nuk do të ekzistonte as përgjigja ime. Shtrohet pyetja, pse kishte pyetje të gazetares? Gazetarja më ka pyetur sepse ka presupozuar dëshirën e opozitës. Nëse nuk do të kishte dëshirë të opozitës, nuk do të kishte pyetje të gazetares dhe rrjedhimisht, nuk do të kishte as përgjigje timen”, tha Kurti.

Ai tha se çështja e zgjedhjeve të parakohshme është ndërtuar si hipotezë mbi dëshirën e opozitës, e jo të dëshirës së tij.

“Pra, gjithçka ndërtohet mbi hipotezën që opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme. Dhe, unë kam shprehur gatishmërinë time që nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme, mund ta bëjmë me 2/3-tat e kuvendit shpërndarjen e kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje. Pra, vetëm nëse opozita do zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarjen e kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje. Mirëpo, nuk ka pse të rrëzohet qeveria. Qeveria e mbarë dhe e mirë nuk rrëzohet, qeveria vazhdon. Mirëpo nëse opozita është e interesuar që të mos i kemi ne 12 muaj në vitin e fundit, por të kemi më pak muaj, atëherë jemi të gatshëm të ulemi dhe ta bëjmë shpërndarjen e kuvendit por jo ta rrëzojmë qeverinë. Qeveria nuk ka pse të rrëzohet”, ka thënë ai.

Pastaj, ai shkaktoi të qeshura në sallën e konferencave në qeveri kur iu përgjigj pyetjes së një gazetareje për shprehjen e gatishmërisë së tij për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

Gazetarja më pyeti. Zgjedhjet tha.. çka me bë, tha a doni të shkoni në zgjedhje? Nëse opozita insiston, ulemi e shpërndajmë kuvendin dhe shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Kurti.