Qeveria Kurti më në fund ka lëvizur lidhur me Projektligjin për pagën minimale, i cili është miratuar në lexim të parë gati qe një vit. Ky projektligj do të shqyrtohet nesër në Komisionin për Buxhet, Punë e Transfere e më pas do t’i procedohet Kuvendit për lexim të dytë. Për të hyrë në fuqi, projektligji duhet të kalojë në lexim të dytë dhe të tretë dhe të nënshkruhet nga Presidentja.
Pas zvarritjes disamujore, Qeveria është kujtuar tek tash për Projektligjin që do ta rriste pagën minimale në vend, që ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2011.
Ky Projektligj është miratuar në lexim të parë qysh në qershor të vitit të kaluar dhe parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.
Sipas rregullores së Kuvendit, projektligji do të duhej të procedohej për lexim të dytë dy-tre muaj pas miratimit në lexim të parë, por kjo s’ka ndodhur.
Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, i ka thënë Gazetës Express se Projektligji do të shqyrtohet nesër në Komisionin për Buxhet, Punë e Transfere.
“Ju njoftoj se të premten (nesër) datë 26.05.2023 nga ora 13 e 30 do të bëhet Shqyrtimi i Projektligjit për caktimin e pagës minimale”, ka deklaruar Statovci për Express.
Pas shqyrtimit në Komision, ky projektligj pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për lexim të dytë.
Për të hyrë në fuqi, projektligj duhet të kalojë edhe leximin e dytë dhe të tretë dhe të nënshkruhet nga Presidentja Vjosa Osmani.
Partitë opozitare në vazhdimësi kanë drejtuar kritika në adresë të Qeverisë, për zvarritjen e këtij projektligji.
Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, i kishte thënë Gazetës Express se mos rritja e pagës minimale në vend po e përshpejton ikjen e fuqisë punëtore nga vendi.
Ai e kishte përsëritur kërkesën e partisë së tij që paga minimale të jetë 370 euro, e jo 250 siç ka propozuar Qeveria.
“Është e papranueshme neglizhenca dhe diskrimini që po ju bëhet 100 mijë qytetarëve të Kosovës në lidhje me pagën minimale. Këtu më së shumti po e pësojnë qytetarët që punojnë në sektorin privat. Qeveria dhe shumica parlamentare po i frikësohen këtij ligji që rrit pagën minimale, ose mund të jetë ndonjë kalkulim politik i tyre për këtë zvarritje. Qeveria duhet ta dijë që ky mos veprim i tyre për rritjen e pagës minimale po e shpejton procesin e ikjes nga vendi, e sidomos punëtorët e krahut. Ne si AAK i bëjmë thirrje që ta procedojë sa më shpejt këtë projektligj, dhe që paga minimale të mos jetë 250euro neto, por 370 euro neto ashtu siç kemi propozuar që nga fillimi.”, kishte deklaruar Lekaj.
Kritika për vonesat në procedimin e këtij projektligji kishte drejtuar edhe deputeti i PDK’së, Ferat Shala.
“Projektligji për pagën minimale është vonuar tej mase dhe nuk kemi asnjë informim zyrtar pse është duke u vonuar, por nga ajo që dijmë është Qeveria ka ba gabime që ka realizu në proces e sipër me pagën minimale edhe është në dilemë të madhe se si të veprojë më tutje”, kishte thënë Shala.
Ai kishte renditur edhe arsyet pse, sipas tij, Qeveria po e zvarrit këtë projektligj.
“1.Paga minimale ka qenë propozim i Qeverisë që ka ra në kundërshtim me të gjitha organizatat që janë përfituese. 2. Paga minimale nuk i ka trajtuar kategoritë e dalura nga lufta. 3 paga minomale nuk është në harmoni me shkallën e inflacionit, gjendjen ekonomike të vendit. 4. Të gjitha subjektet politike, po flas për opozitën, kanë pasur vërejtje. Nuk është ligj që i plotëson kriteret dhe nevojat e ekonomisë familjare, veçanarisht për kategoritë sociale”, kishte deklaruar Shala.
Sipas tij, Qeveria do të duhej ta tërhiqte këtë projektligj dhe ta plotësonte, sipas vërejtjeve që ka marrë nga organizatat, kategoritë sociale dhe opozita.
“Do të ishte veprimi më i mençur, edhe pse shumë i vonuar dhe shumë i dëmshëm, nëse Qeveria e tërheq këtë ligj dhe e plotëson me vërejtjet që ka marrë nga organizatat dhe kategoritë sociale dhe partitë opozitare”, kishte thënë Shala për Express.
Ku renditet Kosova për pagë minimale?
Zyra e statistikave e Bashkimit Evropian, Eurostat, ka përditësuar më 31 janar 2023 të dhënat për pagën minimale në vendet e Evropës.
Në kontinentin evropian, Kosova e ka pagën më të vogël minimale, ndërsa Luksemburgu i prin listës si shteti me pagën më të madhe minimale. Paga minimale, e një shteti përcaktohet me ligj dhe zbatohet për shumicën e punonjësve të atij shteti.
Paga minimale në Luksemburg është 2 mijë e 387 euro. Pas Luksemburgut, renditet Gjermania me 1 mijë e 987 euro dhe Belgjika me 1 mijë e 955 euro.
Kosova ndërkohë renditet në fund të kësaj liste, me 170 euro (130 euro deri në 170 euro, varësisht prej moshës).
Para saj është Shqipëria me pagë minimale prej 298 euro./Gazeta Express