Gashi: Ka dëmtim të mostrave të komandantit legjendar Adem Jashari e Isa Boletini

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka folur sot në Kuvend rreth asaj që ai i quajti “skandaleve të qeverisë brenda një jave”.

“Sot i drejtohem këtij Kuvendi dhe qytetarëve të Kosovës për të vënë theksin në tri skandale të qeverisë gjatë një javë. Skandali i parë është shtyrja e regjistrimit të popullsisë dhe pronës për një kohë të caktuar. Skandali i dytë është djegia për here të dytë e Institutit të Mjekësisë Ligjore që për vete jo vetëm që është skandal por është një rast jashtëzakonisht i rëndë i cili nuk mund të tolerohet”, ka thënë Gashi në foltoren e Kuvendit, raporton Klankosova.tv.

Më tutje Gashi tha se si pasojë e djegies së IML-së, ka dëmtime edhe të mostrave të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe komandantit Isa Boletini, njofton Klankosova.tv.

“Ministrja e Drejtësisë deklaron publikisht se nuk ka dëmtim të arkivit, nuk ka dëmtim të mostrave mortore që mbahen në këtë institut dhe ndërkohë në media raportohet dhe rezulton që jo vetëm që ka dëmtim të arkivit, jo vetëm që ka dëmtim të mostrave, por ka dëmtim të mostrave të mbetjeve mortore të komandantit legjendar Adem Jashari, ka dëmtim të mostrave të komandantit tjetër, Isa Boletini, dhe të mos flasim për rastet e qytetarëve të tjerë të cilat edhe mund të kenë përmbajtje të tjera të qëllimshme për zhdukjen e rasteve kriminale”, është shprehur Gashi.

Ndërkaq, si skandal të tretë, Gashi e ka konsideruar angazhimin e Gani Jakupit në postin e Këshilltarit të jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike në MPJD, me pagë prej 7500 euro.