Organizmi i garave ilegale me automjete është shndërruar në dukuri tejet shqetësuese dhe e rrezikshme, pasi po rrezikohet jo vetëm jeta e vetë e këtyre garuesve, por edhe e qytetarëve të tjerë. Federata e Auto Sportit kërkon zgjidhje urgjente në koordinim me Qeverinë e vendit, teksa ekspertët propozojnë që garat me makina të mbahen në poligonin e aeroportit.
Policia e Kosovës ditëve të fundit në dy raste të ndara në Trudë dhe Prizren ka hasur persona të dyshuar duke bërë gara ilegale, me ç’rast janë identifikuar katër persona ndaj të cilëve në koordinim me prokurorin e shtetit janë ndërmarrë veprime për sekuestrimin e veturave dhe inicimin e rasteve për vepër penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Në një përgjigje me shkrim, Policia e Kosovës ka thënë se gjatë vitit 2023 janë shqiptuar 166 tiketa dhe janë konfiskuar 12 automjete. Ndërkaq për periudhën janar-shkurt të këtij viti janë shqiptuar 31 tiketa, po ashtu janë arritur që të parandalohen disa raste të tjera të organizimit të garave ilegale.
Ndërsa organizimi i garave ilegale rrezikon seriozisht sigurinë e të gjithë atyre që janë pjesë e trafikut rrugor, kryetari i Federatës së Auto Sportit (FASK), Ismet Rexhepi thotë për KosovaPress se këto gara duhet të ndalohen sa më shpejt që është e mundur, pasi ato vetëm sa po vazhdojnë të shtohen.
“Mendimi jonë është që duhet të ndalen së më shpejt. Unë nga rasti i fundit në Prizren kur kanë vdekur tre djem, realisht, vetë s’jam rahat dhe po ndihem i obliguar të bëj diçka për ta. Pa dyshim problemi që është aktualizuar tani për shkak të ngritjes është që të krijohen kushtet më të përshtatshme dhe këta djem të ri, sidomos kur i qesin gomat e verës këta kanë dëshirë që të ekspozohen pak më tepër. Ne e dimë që kjo gjë do të shkojë të rritet më tepër, mirëpo nuk po mund të bëhen shumë gjëra… Qe nga rasti i fundit, kemi pasur një kërkesë emergjente nga Federata e Auto Sportit të Kosovës për t’u takuar me Qeverinë që të bëjmë një plan, në mënyrë që të mos e lejojmë këtë dukuri negative, e cila ditë po shkon duke u bërë më e dëmshme, të gjitha këto aksidente, këto vdekje që janë duke u ndodhur janë shumë për gjynah… Pista në Sllatinë është e përshtatshme për të gjithë këta që dëshirojnë t’i testojnë veturat e tyre që dëshirojnë ta shohin veturën e tij, kohën se sa mund të arrijnë dhe aty është e përshtatshme dhe nuk e rrezikon askund, sepse është pistë e tipit të mbyllur. Ne 100 euro i kërkojmë për punëtorët që punojnë aty,” tha Rexhepi.
Rexhepi shtron nevojën urgjente për zgjidhjen e këtij problemi, në mënyrë që një herë e përgjithmonë t’i jepet fund kësaj dukurie të rrezikshme dhe vdekjeprurëse për të rinjtë që bëjnë gara ilegale me makina.
“Duhet të krijohen kushtet, sepse është diçka që nuk mundesh ta ndalosh. Pse po ndërtojnë stadiume, palestra sportive? A duhet shteti i Kosovës të mendojë vetëm për futboll, basketboll dhe sporte të tjera? Duhet të mendohet për të gjithë, sepse disa kanë talent edhe për automatizëm, disa për basketboll, disa për futboll, duhet që të jenë paralele në mënyrë të njëjtë dhe t’i kenë kushtet. Unë po e them qe 25 vjet nuk iu intereson për fëmijët që vdesin,” tha Rexhepi.
Eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti thotë për KosovaPress se poligoni, i cili gjendet në aeroport mund të shfrytëzohet për gara të veturave, por garuesve shuma e pagesës iu duket e shtrenjtë.
“Garat ilegale është huliganizëm dhe është poligoni tek aeroporti, nuk e di pse nuk e shfrytëzojnë, mirëpo po ankohen që është 100 euro në vit, nuk është shumë. Nëse ti shkon në një vend të Evropës dhe garon, kësisoj gazetat do të shkruajnë për juve. Hyn në poligon, pastaj bënë një dëm, të cilin duheta ta paguash poligonin, dhe jo të shkoni të ngisni automjetin si i shfrenuar, pastaj ankohen duke thënë se nuk po na lejojnë të bëjmë gara. Sinqerisht, ndoshta nuk mund t’i kuptojmë se si ka mundësi një njeri normal të bëjë gara në autostradë apo qytet dhe mos ta ketë për bazë që mund ta dëmtojë dikë që ia merr jetën. Sinqerisht, kjo është e pa pranueshme,” ka thënë ai.
Policia e Kosovës apelon të gjithë qytetarët të kontribuojnë në sigurinë e trafikut rrugor duke bashkëpunuar me policinë në parandalimin e këtyre garave, në mënyrë që policia të merr masat e duhura ligjore.
Ndërkohë nga 3 prilli hyn në fuqi ligji i ri i rregullave të trafikut rrugor, ku gjobat për garat e shpejtësisë do të jenë 400 euro, 10 muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus katër pikë negative. Shoferi i cili haset duke bërë gara jashtë vendbanimit dënohet me 500 euro dhe 12 muaj ndalim të drejtimit të mjetit plus pesë pikë negative. Për mos përdorim të helmetës gjoba do të jetë 100 euro dhe personat tjerë që barten në këto mjete, ndërsa për personat e moshës nën 16-vjeç dënimi i shkon te kujdestari ose prindi.
Gjoba tjera përfshijnë mos vendosja e rripit të sigurisë – 150 euro, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes 100 euro plus një pikë negative – shoferi i cili haset për herë të parë, 200 euro plus tre muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus dy pikë negative – shoferi i cili haset për herë të dytë, 500 euro plus gjashtë muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus tri pikë negative – shoferi i cili haset më shumë se dy herë,
200 euro plus konfiskimi i targave – personi fizik i cili haset me mjetin të cilit i ka skaduar regjistrimi jo më gjatë se 30 ditë, 500 euro plus konfiskimi i targave – personi juridik i cili haset me mjetin të cilit i ka skaduar regjistrimi jo më gjatë se 30 ditë.
Shpejtësia brenda vendbanimit 20 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 5 – 10 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 40 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 10 – 20 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 60 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 20 – 30 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 200 euro plus tre muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus tri pikë negative – për tejkalim të shpejtësisë nga 30 – 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 300 euro plus 6 muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus tri pikë negative – për tejkalim të shpejtësisë nga 50 – 70 km/h mbi shpejtësinë e lejuar.
Gjoba 400 euro plus 9 muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus 4 pikë negative – për tejkalim të shpejtësisë nga 70 – 100 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 500 euro plus 12 muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus 5 pikë negative – për tejkalim të shpejtësisë mbi 100 km/h mbi shpejtësinë e lejuar.
Te shpejtësia jashtë vendbanimit ngasësit do të gjobiten 20 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 10 – 20 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 40 euro për tejkalim të shpejtësisë nga 20 – 30 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, 150 euro plus dy pikë negative – për tejkalim të shpejtësisë nga 30 – 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar,
300 euro plus tre muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus tri pikë negative – për tejkalim të shpejtësisë nga 50 – 100 km/h mbi shpejtësinë e lejuar,
500 euro plus gjashtë muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus pesë pikë negative – për tejkalim të shpejtësisë mbi 100 km/h mbi shpejtësinë e lejuar.
500 euro plus gjashtë muaj i shtohet ndalimi i drejtimit të mjetit plus pesë pikë negative plus i konfiskohet përkohësisht mjeti të cilin është hasur duke e drejtuar, derisa ndaj të njëjtit është aktive masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik. Ndalimi i tejkalimit të mjeteve parashikon gjobë 200 euro plus tre muaj ndalim i drejtimit të mjetit plus dy pikë negative.