Furnizimi i konsumit të vendit në stinën e acartë nuk varet vetëm nga KEK-u, as nga optimizmi i Përparim Kabashit, kryeshefit aktual ekzekutiv në KEK. Sepse, edhe po të punonin në mënyrën ideale, që i bie në mundësitë më optimale, termocentralet e stërvjetëruara të Kosovës nuk kanë kapacitet prodhues për të plotësuar nevojat e shtuara të konsumit për energji elektrike gjatë ditëve të ftohtit. Pse nuk duhet pritur shumë sivjet as nga këmbimi i rrymës Kosovë-Shqipëri?
Mehmet GJATA
Pavarësisht premtimeve optimiste të kreut të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Përparim Kabashit, gjatë vizitës së fundit që ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i bëri kompleksit elektroenergjetik të vendit, se gjatë dimrit prodhimi vendor do të jetë në nivel, furnizimi i konsumit të vendit në stinën e acartë nuk varet vetëm nga KEK-u, as nga optimizmi i Përparim Kabashit, kryeshefi aktual ekzekutiv. Sepse, edhe po të punonin në mënyrën ideale, që i bie në mundësitë më optimale, termocentralet e stërvjetëruara të Kosovës, të cilat ç’është e vërteta sivjet janë freskuar relativisht mirë nga riparimet e shumta gjatë verës dhe vjeshtës së vonë, nuk kanë kapacitet prodhues për të plotësuar nevojat e shtuara të konsumit për energji elektrike gjatë ditëve të ftohtit.
Sepse, siç dihet, KEK-u, tash e një kohë të gjatë ka në rrethanat më të mira në operim tre blloqe të Kosova A (A3, A4 dhe A5), secili bllok me kapacitet rreth 130 megavatë-orë, ose rreth 400 megavatë bashkarisht dhe Kosova B me dy njësi (B1 dhe B2), secili me nga 260 megavatë. Kjo i bie që bashkarisht termocentralet e KEK-ut, edhe po të punonin në mënyrën më ideale të mundshme, dhe pa ndonjë defekt teknik të papritur (në termocentralet e stërvjetëruara defektet e shpeshta teknike, sidomos rrjedhjet në kaldaja, janë pothuajse të rëndomta dhe goxha të pritshme), mund të prodhojnë diku afër 900 megavatë-orë enegji.
Shtoja kësaj sasie të rrymës, në kushtet e punës, po kështu ideale, edhe afro 100 megavatë, që mbase mund të prodhohen nga kapacitetet e disponueshme të energjisë së rinovueshme (parku i energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe ai në Kitkë të Kamenicës dhe disa minihidrocentrale që ka Kosova), gjithsej do të kishte në dispozicion diku rreth një mijë megavatë-orë rrymë.
Ndërkohë, siç dihet dhe siç ka ndodhur në dimrat me ditë të ftohta dhe me temperatura të acarta, konsumi mesatar ditor mund të arrijë fare lehtë të 1300 megavatëshi, ndërsa në orët e pikut edhe më shumë, madje deri në 1350 megavatë. Në këtë mënyrë, Kosovës do t’i mungonin minimalisht 300 megavatë-orë energji elektrike. Këto janë faktet, që tregojnë se furnizimi nuk varet vetëm nga prodhimi i kapaciteteve vendore ekzistuese, sado që është shumë e rëndësishme dhe imponuese për punë më të mirë, implementimi i suksesshëm gjatë këtij viti i disa projekteve kapitale të remonteve, si ai i Dilatimeve në kalldatë e njësive B1 dhe B2, të Kosova B, që (siç u tha edhe gjatë takimit të krerëve të KEK-ut me ministrën Rizvanolli) njëherësh kanë qenë parakusht për implementimin e projektit të Elektro-Filtrave dhe pajisjeve për zvogëlimin e DeNOx-it, që pritet të nisin gjatë vitit 2024, si dhe projekti i ndërrimit të zbarrave të gjeneratorit në njësinë B1, i cili, siç thonë në KEK, gjithashtu ka përfunduar me sukses.
Po ashtu, është mirë që “përveç projekteve kapitale, në dy njësitë e termocentralit Kosova B janë kryer edhe një sërë riparimesh të tjera, të cilat ishin planifikuar gjatë remonteve të rregullta vjetore të cilat kanë ndikuar në ngritjen e sigurisë se operimit”.
Po kështu, ishin të mirëseardhura dhe me ndikim në freskimin e stabilementeve edhe “remontet dhe revizionet e rregullta vjetore të realizuara me sukses edhe në njësitë A3 dhe A5 të termocentralit Kosova A”.
Ndërkohë, siç theksojnë zyrtarët e KEK-ut, në njësinë A4 akoma është duke u realizuar remonti i rregullt vjetor konform dinamikës së planifikuar dhe pritet të rikthehet në operim në fillim të muajit dhjetor. Edhe sigurimi i rezervave të mjaftueshme të qymyrit për sezonin dimëror nga Divizoni i Prodhimit të Qymyrit, siç tha kreu i KEK-ut është trimëruese. Megjithatë, në dimrin e acartë dhe me shpenzim shpeshherë enorm të rrymës, nuk është e mjaftueshme edhe energjia e tërë e prodhuar maksimalisht dhe në kushte optimale.
Furnizimi më stabil në këto ditë me temperatura ndjeshëm të ulura, në mungesë të energjisë nga kapacitet e vendit, varet shumë nga mundësitë reale të këmbimit të energjisë elektrike KEK-KESH, nga kursimi i rrymës, gjithnjë ku ka mundësi, nga sigurimi i sasisë së munguar në raste nga importi, dhe me kushte të kostos më të favorshme.
Por, krejt në fund, varet shumë edhe nga moti. Sa më pak të ketë ditë me temperatura të acarta, aq më lehtësisht do ta sfidonte edhe KEK-u dimrin e pritshëm. Dëshmi bindëse për këtë ishte dimri i vjetshëm, me fare pak ditë të acarta dhe kur Kosova praktikisht nuk kishte ndonjë krizë të shkaktuar nga mungesa e rrymës.
Po kështu, në favor të Kosovës vitin e kaluar ka qenë edhe këmbimi i një sasie enorme të energjisë elektrike me Shqipërinë (diku rreth 200 mijë megavatë-orë), sasi të cilën Kosova e huazoi nga KESH-i gjatë ditëve të dimrit dhe kur Shqipëria, për shkak të të reshurave të bollshme, kishte akmuluar ujë të mjaftueshëm në liqenet e Kaskadës së Drinit, për operim stabil të hidrocentraleve gjatë tërë stinës së dimrit.
Por, sivjet, këto ditë në prag të dimrit nuk janë edhe aq premtuese sa i përket mundësive për këmbim të energjisë elektrike Kosovë- Shqipëri. Sepse, Kosova gjatë verës, për shkak të remonteve të shumta dhe thuaja të pandërprera në njësitë e veta prodhuese nuk pati mundësi për t’i huazuar KESH-i ndonjë sasi të theksuar të rrymës. Në anën tjetër, Shqipëria, për shkak të thatësirave të zgjatura gjatë verës nuk pati mundësi të përmbushë as nevojat vetanake. Tani, kur kanë zënë të mbushen akumulimet me ujë dhe kur Shqipëria ka kondita për të prodhuar më shumë rrymë, kushtimisht është e detyruar të eksportojë më shumë për të balancuar sado pak bilancet financiare të ç’ekuilibruara gjatë importeve në muajt e deritashëm, për shkak të thatësisë evidente. Prandaj, hë për hë, Kosova nuk mund të mbështetet edhe aq shumë sivjet të këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë.
Alternativë e domosdoshme mbetet krijimi i një fondi rezervë të parave, për t’i pasur në rast nevoje për të importuar rrymë, qoftë edhe me çmime të larta, si dhe kursimi i kosovarëve, aty ku ka mundësi. Do të ishte mirë sidomos t’i iket ngrohjes së ambienteve shtëpiake dhe të banimit me rrymë, ku në vazhdimësi, në këto vite, shpenzohet më së shumti rrymë. /Buletini Ekonomik/