“Fuqia e shtetit dhe ligjit të Kosovës do t’i godas pamëshirshëm grupet terroriste”

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selam Shkodra, ka thënë se aksioni i policisë në veri të vendit i datës 24 shtator më së shumti i shërbeu popullatës së pjesës veriore.

Shkodra tha se ndonëse situata është e qetë aktualisht, grupet terroriste janë të pezmatuara dhe natyrisht që sipas tij, do të provojnë të kryejnë ndonjë akt tjetër.

“E rrugës do të ishte që policia të ketë kontrolle sistematike. Aktualisht janë të përgatitur mirë dhe në nivelin më të lartë të detyrës dhe po shihet se pas këtyre muajve që Njësia Speciale ka qenë prezente këtu ka ndryshuar gjithçka në favorin e zbatimit të ligjit, kthimit të normalitetit”, tha Shkodra në Klan Kosova..

Më tej, ai tha se fuqia e shtetit dhe ligjit të Kosovës do të jetë ajo që do t’i godas pamëshirshëm me grusht të hekurt grupet terroriste.

“Policia qëndron mirë me qytetarët e rëndomtë. Nuk ka problematika mes qytetarëve të rëndomtë dhe policëve, por grupet terroriste duhet të binden edhe një kohë që fuqia e shtetit dhe ligjit të Kosovës do të jetë ajo që do t’i godas pamëshirshëm me grusht të hekurt”.

“Besoj që ata do të jenë të cilët do të dorëzohen në raport me fuqinë e shtetit të Kosovës”, tha ai.