Kërkimet për trupin e pajetë të mërgimtarit 33-vjeçar, i cili dyshohet se është hedhur nga ura në Liqenin e Ujmanit, kanë hyrë në ditën e tretë.
Në vendngjarje kanë qenë të angazhuara njësite të Policisë së Kosovës, ekipet e kërkim-shpëtimit si dhe zhytës profesionistë, të cilët po punojnë pa ndërprerë për lokalizimin e trupit, por deri tani, përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat.
Telegrafi ka siguruar pamje të trupave të KFOR-it të cilët janë duke shkuar drejt liqenit të Ujmanit si dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për të ndihmuar në intensifikimin e kërkimeve.
Kurse nga Shoqata e Kërkim-Shpëtimit thanë se po shpresojnë që me ndihmën e Forcës së Sigurisë, ta gjejnë trupin e të riut.