​FSK: KFOR ishte në dijeni për marshimin e rregullt në Mitrovicë

Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar marsh kondicional me 215 ushtarë, nga kazerma “Minatori” deri ne fshatin Frashër të Mitrovicës, dhe është kthyer në bazë.

Për këtë, Forca ka bërë të ditur se, në dijeni ka qenë Komandanti i Batalionit të KFOR-it, dhe stafi i tij, të vendosur në bazën e tyre në Maxhunaj.

Marshimet janë aktivitete të zakonshme të njësive të FSK-së, dhe realizohen disa herë përgjatë vitit kalendarik në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të aktiviteteve të planifikuara ka marshimet kondicionale dhe taktike. Në vazhdën e kësaj, Regjimenti i Tretë i Forcave Tokësore (R3KFT) ka realizuar marshimin kondicional për të cilin kanë qenë të njoftuar Komandanti i Batalionit të KFOR-it, dhe stafi i tij të vendosur në bazën e KFOR-it në Maxhunaj”, ka njoftuar Forca e Sigurisë së Kosovës.

Regjimenti 3 i KFT e ka realizuar me sukses këtë marshim.

“Në kuadër të planit mujor të trajnimeve për muajin Qershor 2023, me datë 23.06.2023, R3K, ka realizuar marshimin 12 km në zonën e përgjegjësisë, zona e Mitrovicës. Marshimi është realizuar duke filluar nga ora 0900L nga kazerma “Minatori” në drejtim të fshatrave Bajr, Frashër i Vogël dhe Frashër i Madh. R3K në këtë marshim ka marrë pjesë gjithsej me 215 pjesëtar. Qëllimi i këtij marshimi ka qenë mbajtja dhe përmirësimi i gatishmërisë fizike të pjesëtarëve të R3K”, është bërë e ditur në njoftimin e FSK-së.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur ky është marshim i rregullt dhe nuk ka të bëjë asgjë me situatën aktuale në veri të vendit.

Ai ka kërkuar që marshit të mos jepet tjetër konotacion ndërsa ka bërë thirrje që të mos besohen lajmet e rreme.