Fotoja virale në internet, Ministria për Transfere: Ka ekipe mobile që vizitojnë pensionistët

Foto: Dritan Dragusha – Facebook

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka reaguar pasi mori dhenë një fotografi e gazetarit Dritan Dragusha.

Ky i fundit, përmes një postimi në “Facebook” kritikoi autoritetet për qasjen karshi pensionistëve, përkatësisht detyrimit për t’u paraqitur çdo gjashtë muaj.

Sipas ministrisë gjegjëse, ekzistojnë ekipe mobile që shkojnë edhe në shtëpitë e pensionistëve, mjafton që të telefonohen.

Më poshtë lexoni të plotë njoftimin e Ministrisë:

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sqaron për opinionin publik se tashmë ekzistojnë ekipet mobile që vizitojnë në shtëpi pensionistët që duhet të lajmërohen çdo gjashtë (6) muaj, por e kanë të pamundur ta bëjnë këtë në zyrat e pensioneve për shkak të arsyeve shëndetësore.

Që nga muaji gusht 2023, Ministria ka lansuar projektin e lajmërimit në shtëpi të pensionistëve, përmes ekipeve mobile që vizitojnë pensionistët në adresën e tyre të banimit.

Me qëllim të lehtësimit të procedurave, pensionistët me probleme shëndetësore si dhe ata mbi moshën 80 vjeçare mund të dërgojnë kërkesë përmes telefonit ose e-mailit, dhe ekipi mobil i Ministrisë shkon në shtëpi për të realizuar procesin e verifikimit.