Foshnja e parë e lindur në vitin 2024 në Kosovë është djalë.
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia kanë vizituar në orët e pasmesnatës Klinikën e Gjinekologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ata me këtë rast janë takuar me nënat, të cilat lindën foshnjat pak çaste para ndërrimit dhe pas ndërrimit të mot-motit.
“Unë jam shumë i lumtur në këto momente të para të vitit 2024 që në QKUK, në Klinikën e Gjinekologjisë që ta ndaj gëzimin me nënat, të cilat i dhanë foshnjat e para të këtij viti. E kemi Rajanën pesë minuta para mesnatës dhe kemi Naronin pesë minuta pas mesnatës. Vizituam të dy nënat, edhe foshnjat, edhe nënat janë shëndosh e mirë. Iu dëshiruam jetë të gjatë, iu dëshiruam shëndet, mbarësi, lumturi”, ka thënë Kurti.
Ai me këtë rast ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës që 2024-ta të jetë një vit me shumë punë e suksese, teksa premtoi edhe mbështetje më të fuqishme për sektorin e shëndetësisë.
“Në shëndetësi jemi duke investuar shumë dhe me prioritet. Dy milionë e gjysmë euro po investohen vetëm në Klinikën e Gjinekologjisë vetëm deri në mesin e këtij viti duke bërë renovime për shërbime cilësore dhe për kushte të dinjitetshme edhe për pacientët, edhe për mjekët dhe infermierët në klinikën në të cilën fillon jeta”, tha Kurti.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Zef Ndrejaj ka folur për gjendjen e nënës që lindi fëmijën e parë në vitin 2024 në Kosovë, duke thënë se ajo dhe fëmija janë mirë.
“Është gjendje e mirë edhe e nënës dhe e fëmijës. Lindja ka shkuar me prerje cezariane për shkak se ka pasur një lindje paraprake me prerje cezariane dhe është dashur patjetër të shkojë edhe me këtë tjetrën”, ka thënë Ndrejaj për KosovaPress.
Ndryshe, gjatë kësaj vizite ministri i Shëndetësisë Arben Vitia nuk është deklaruar për media. Kujtojmë, vitin e kaluar fëmija i parë në Kosovë që u lind ishte vajzë.