Një analizë e gazetës prestigjioze amerikane “Foreign Policy” për tensionet e shtuara mes Kosovës dhe Serbisë, pas ngjarjeve 24 shtatorit, hedh dritë mbi situatën e paqartë të krijuar pas agresionit serb. Aty mes tjerash thuhet se roli i Bashkimit Evropian si ndërmjetës për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve ka dështuar dhe se dialogu tashmë ka “ngecur“. Artikulli ‘alarmon’ se ideja e shkëmbimit të territoreve, e cila nuk u kundërshtua në parim nga administrata Trump, mund të kthehet në horizont. Analiza e FP orvatet rreth asaj se ‘rreziku’ i kthimit pas në kohë për një ide që kërkon një ‘përditësim të ri të hartës globale nga hapësira (në kuptimin figurativ)’, paralajmëron demokratët dhe BE-në të “lëvizin shpejt”.
Titulluar “BE-ja ka dështuar në Serbi dhe Kosovë”, Foreign Policy shkruan se si roli i Bashkimit Evropian si ndërmjetës i rrugës së gjatë të përpjekjeve për normalizim mes të dyja vendeve përmes një dialogu i cili tashmë ka ngecur.
Pavarësisht përpjekjeve të Brukselit për t’i mbajtur palët përgjegjëse për mosrespektimin e marrëveshjeve, FP shkruan se përfundimisht, BE “nuk arriti të detyronte pajtueshmërinë dhe ngjarjet e fundit sugjerojnë se dialogu në fakt ka shkuar prapa”.
Në kontekst të rrjedhës së këtyre ngjarjeve, gazeta amerikane ka renditur disa arsye që “duhet të shqetësojnë BE-në”.
Pamundësia për të ushtruar kontroll në “oborrin e tyre” dhe zgjedhjet e ardhshme në ShBA, janë dy arsyet që FP shkruan se mund të ndryshojnë në mënyrë drastike politikën paralele të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Me ish-presidentin Trump si favoritin kryesor për të fituar zgjedhjet e ardhshme në ShBA, FP “alarmon” për një rikthim në kohë, në një ide që kryeministri Kurti e përsëriste shpesh se “ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur”.
Bëhet fjalë për idenë e shkëmbimit të territoreve, për të cilën FP shkruan se mund të rikthehet në horizont me rikthimin e mundshëm të republikanëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në ShBA po afrohen me shpejtësi dhe Brukseli mund të përfundojë duke e gjetur veten plotësisht të mënjanuar në Ballkan nëse republikanët përfundojnë duke rimarrë Shtëpinë e Bardhë. Në të vërtetë, kjo iu afrua rrezikshëm të ndodhte tre vjet më parë, kur u shfaqën thashethemet se administrata Trump ishte e hapur për miratimin e një propozimi të diskutueshëm për shkëmbimin e territoreve midis Beogradit dhe Prishtinës që do rezultonte në rivizatimin e kufirit Serbi-Kosovë përgjatë vijave etnike duke transferuar veriun e Kosovës me shumicë serbe në Serbi në këmbim të një pjese etnike shqiptare të Serbisë jugore”, shkruan mes tjerash FP.
Në rast të rikthimit të republikanëve në Shtëpinë e Bardhë, gazeta amerikane shkruan se “korrigjimet e kufijve padyshim do të kthehen në tavolinë”.
Më tej thuhet se megjithëse zbatimi i mundshëm i kësaj ideje do të dukej më efektiv në zgjidhjen e shpejtë të konfliktit, kjo do të krijonte “përçarje më të madhe se sa status quo-ja në praktikë”.
“Korrigjimet e kufijve padyshim do të kthehen në tavolinë, dhe megjithëse kjo do të ishte zgjidhja më e drejtpërdrejtë e konfliktit që do ta bënte Kosovën një shtet më koherent politik, pothuajse me siguri do të rezultojë më përçarës sesa status quo-ja në praktikë. Pra, për këtë arsye, Brukseli dhe Uashingtoni do të këshilloheshin të lëviznin shpejt, ndërkohë që demokratët janë ende në gjendje të kontrollojnë ngjarjet. Por kjo mund të kërkojë një ndryshim drastik të qasjes”, thuhet aty.
Sipas FP, shkak-pasojë aktuale e stagnimit në rrugën drejt normalizimit mes vendeve mbetet preferena e shtetit serb për ta mbajtur “status quo-në”.
Gazeta amerikane madje përmend edhe rastin kur Vuçiq – literally (fjalëpërfjalë) – u tall me BE-në duke u ankuar për dhimbje të dorës së djathë kur palëve iu kërkohej nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.
“Arsyeja kryesore që dialogu Serbi-Kosovë mbetet i bllokuar është sepse Beogradi preferon status quo-në sesa çdo zgjidhje tjetër të propozuar që ndalon, ndoshta, korrigjimet e kufijve. Në të vërtetë, Vuçiq e ka bërë shumë të qartë këtë dhe nuk ka asnjë shenjë se plani i ri i rënë dakord për këtë vit në fakt ka ndryshuar diçka. Në fakt, Vuçiq është tallur hapur me BE-në në televizionin serb, duke pretenduar se ai nuk e nënshkroi propozimin e lartpërmendur, të quajtur Marrëveshja e Ohrit, sepse ai ka një “dhimbje torturuese” në dorën e tij të djathtë që “pritet të vazhdojë për katër vitet e ardhshme”, shkruan FP.
Gazeta amerikane shkruan edhe për “rezistencën” e Kurtit rreth kërkesës së Serbisë për themelimin e një Asociacioni të Komunave Serbe, nga frika se kjo “do t’u jepte zonave të dominuara nga serbët në veri të vendit një shkallë autonomie.”/Flakon Demaku – Nacionale