Një ndër fondacionet kryesore politike në Gjermani që mban emrin e teoricienes, revolucionares dhe pioneres së socializmit gjerman, Rosa Luxemburg, në një artikull të fundit kushtuar rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, fajëson të dy palët për ngritjen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Në artikullin e fondacionit gjerman “Rosa Luxemburg Stiftung” mbi ngjarjet e fundit që dëshmuan për brishtësinë e paqes midis dy vendeve, thuhet se pa gatishmërinë për kompromis nuk do të ketë zgjidhje të qëndrueshme, derisa Kosova dhe Serbia mbeten të fiksuara pas “inateve historike”, “narratives së viktimizimit” dhe “popullzimit politik” që mban peng të dyja palët.
“Në një situatë të dominuar nga inatet e së shkuarës dhe popullzimi politik, zgjidhjet potenciale duken të pakta në terren […] Megjithatë, pa kompromis nuk do të ketë zgjidhje. Ashtu siç qëndrojnë gjërat aktualisht, dy palë të fiksuara pas historisë dhe narratives së viktimizimit duket se nuk mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët”, konstaton fondacioni gjerman.
E sulmi terrorist i paramilitarëve serbë në shtator të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, sipas fondacionit të majtë gjerman, tregoi se pothuajse asnjë përparim real drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pajtimit ndëretnik nuk është arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
Në këtë kontekst, fondacioni gjerman vlerëson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend të kompromisit, kapet pas narrativeve të vjetra të luftës, duke akuzuar Serbinë për gjenocid, derisa njëkohësisht mbështet thirrjet për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, mbështet grupet e organizuara kriminale në veri.
“Kurti ka bërë deklarata në mbështetje të bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, duke konfirmuar pretendimet e nacionalistëve serbë që kishin paralajmëruar Perëndimin për projektin e ‘Shqipërisë së Madhe’. Pikëpamjet dhe veprimet radikale të Kurtit kanë bërë që kryeministri të kritikohet nga aleati kryesor – Shtetet e Bashkuara”, vëren fondacioni gjerman.
“Në anën tjetër të kufirit, regjimi autoritar i Vuçiqit dhe lidhjet me krimin e organizuar, të cilat ai i përdori për të kontrolluar serbët në Kosovë, janë bërë tejet destruktive, veçanërisht pas vrasjes brutale të politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviç, në vitin 2018”, kujton autori, duke iu referuar lordëve të krimit të organizuar – Millan Radoiçiç dhe Zvonko Vesellinoviç.
“Që nga ardhja e Vuçiqit në pushtet, të dyve u janë hedhur poshtë të gjitha akuzat, ndërkohë që u është dhënë një rrugë për të krijuar perandori në biznes në të gjithë Serbinë […] Të dy janë aktualisht në listën e zezë të SHBA-së për aktivitete kriminale. Radoiçiç, i cili ishte edhe nënkryetar i Listës Sërpska, pranoi përgjegjësinë për incidentin në Banjë”, thuhet tutje.
Konfrontimi midis Kurtit dhe Vuçiqit – ose, saktësisht, përshkallëzimi i konfrontimit – sipas fondacionit të njohur gjerman, kulmoi në vitin 2021 në formën e mosmarrëveshjes për targat e automjeteve, elementet e së cilës kanë qenë një pengesë e vazhdueshme për përmirësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore që nga lufta çlirimtare e Kosovës në vitet 1998-99.
Në artikull përmenden edhe mosmarrëveshjet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Aty thuhet se përkundër faktit se do të themelohet zyrtarisht brenda kornizës ligjore të Kosovës, diçka që do të kërkonte që serbët të pranojnë përfundimisht juridiksionin kosovar, kryeministri kosovar frikësohet nga një shtet serb brenda Kosovës.