Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, është shprehur se nëse komisioni i ankesave në kuadër të Ministrisë së Tregtisë e refuzon ankesën e Klan Kosovës, atëherë ekziston rrezik i madh që mediumi të mbyllet.
“Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në MINT i ka edhe tri ditë afat me vendosë për ankesën e Klan Kosovës kundër vendimit politik të tyre për suspendimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova. Nëse Komisioni e refuzon ankesën, atëherë brenda një periudhe shumë të shkurtër (nëse procedura gjyqësore dështon) redaksisë së Klan Kosovës do t’i vihet çelësi”, është shprehur Kusari.
“Rreziku është serioz dhe real. Ky nuk është proces administrativ apo i ligjshëm, është proces politik”, ka shtuar më tej ajo.
Më tej Kusari ka ftuar mediat mbarë vendit që në ditët në vijim t’i kushtojnë hapësirë kësaj cështjeje.
“E kuptoj që mediat dhe gazetarët janë shumë të zënë me shumë zhvillime por i lus shumë që t’i kushtojnë kohë këtij zhvillimi. Ky proces nuk ka të bëjë vetëm me Klan Kosova, ka të bëjë me precedentin që krijohet dhe që pastaj mund të zbatohet për të gjitha mediat tjera”.