Florent Muslija po konfirmohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares së Kosovës në këtë cikël kualifikues, ku mesfushori i Fortuna Dusseldorf ka qenë truri i skuadrës në ndeshjet e tetorit, duke udhëhequr Dardanët me qetësi, kreativitet dhe grintë në mesfushë.
27-vjeçari ka luajtur 36 ndeshje me fanellën e Kosovës, por kurrë më parë nuk ka qenë në një formë kaq të mirë se sa që është tani në vitin 2025.
Pas paraqitjeve të shkëlqyera në barazimin 0-0 ndaj Sllovenisë dhe fitoren historike 0-1 në Goteborg ndaj Suedisë, Muslija flet me besim për rrugën drejt ëndrrës më të madhe Kupës së Botës 2026.
Në një intervistë për Telegrafin, Muslija thotë se kishte shpresuar në gjashtë pikë para grumbullimit, por edhe katër pikë nuk është keq duke marrë parasysh kundërshtarët.
“Normalisht që jam shumë i kënaqur. Kam besuar në ekip dhe kam qenë i bindur se mund të merrnim katër pikë, madje kam besuar edhe për gjashtë. E di kualitetin e skuadrës dhe të çdo futbollisti që kemi në Kombëtare. Me katër pikë mund të jemi shumë të kënaqur”, tha Muslija.
Duke analizuar duelin me Slloveninë, Muslija tha se kanë mundur të bëjnë më shumë, edhe pse qëllimi para ndeshjes ka qenë që mos të pranon gol, ta mbanin portën e paprekur.
“Besoj se kundër Sllovenisë kemi mundur të bëjmë edhe më shumë. Luftuam shumë dhe patëm raste për gol, të cilat duhet t’i kishim shfrytëzuar. Muajin e ardhshëm e kemi sërish ndeshjen me ta dhe besoj se mund të marrim fitore”.
“Objektivi ka qenë të mos humbnim ndaj Sllovenisë. Edhe barazimi ishte i mirë për ne, pasi edhe ata patën rastet e veta. Nuk kemi pasur frikë, përkundër mungesave, sepse e dimë që secili lojtar ka vlerën e vet. Kemi shumë futbollistë të mirë dhe kushdo që hyn në fushë jep maksimumin për Kosovën”, vazhdoi tutje mesfushori dardan.
Muslija vlerësoi edhe atmosferën në ekipin kombëtar, por foli edhe për lojtarët e rinj që kanë filluar të lënë gjurmë me Kosovë.
“Të gjithë kanë dhënë maksimumin, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje. Po luajmë me zemër për Kosovën. Lojtarët e rinj janë adaptuar shpejt, i kemi pritur mirë dhe ndihen pjesë e skuadrës sikur të ishin prej shumë vitesh”, vazhdoi tutje numri tetë i Dardanëve.