Takimi i ditës së djeshme në mes të SBAShK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, nuk prodhoi rezultat. Deklaratat pas takimit ishin se dyja palët janë duke punuar që të arrijnë një marrëveshje, që do të shënonte përfundimin e grevës dhe fillimin e procesit mësimor.
Negociatori i SBAShK-ut, njëherit edhe kryetari, Rrahman Jasharaj pas takimit tha se nëse qeveria ndryshon qëndrime, gjatë këtyre dy ditëve mund të kemi lajme të mira.
Sinjali ka raportuar mbrëmë se një takim tjetër do të zhvillohet gjatë ditës së sotme, mes krerëve të SBAShK-ut, ministrises së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Përmes burimeve brenda SBAShK-ut, takimi është i konfirmuar se do të zhvillohet sot rreth orës 12:00.
Ndërsa lidhur me raportimet e ditës së djeshme se një marrëveshje veçse është arritur, për Sinjalin kanë folur nga SBAShK-u, të cilët e kanë mohuar lajmin, duke thënë se arritja e një gjuhe të përbashkët në pozicionet aktuale është shumë larg.
“Sa i përket marrëveshjes SBAShK-Qeveri, asnjë marrëveshje nuk është arritur. Ne jemi në qëndrimet tona, ndërsa ata në qëndrime të veta. Kërkesat tona vazhdojnë të jenë: Ligji i pagave, sigurimi shëndetësor, piramidat pensionale të financuara nga shteti dhe pensioni i parakohshëm”, kanë deklaruar nga SBAShK-u për Sinjalin.
Ata kanë deklaruar se i qëndrojnë prapa përfaqësuesve të tyre, Rrahman Jasharajt dhe Atdhe Hykollit.
Njëherit nga SBAShK-u është përsëritur qëndrimi se janë të gatshëm në çdo kohë të ulen dhe të bisedojnë me qeverinë për arritjen e një marrëveshje, që do ta zhbllokonte situatën e krijuar, në mënyre që nxënësit të ktheheshin në shkolla.