Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin publik se ka përgatitur ankesën e radhës pranë UEFA-së lidhur me përsëritjen e sjelljes me retorikë nacionaliste dhe raciste nga tifozët serbë gjatë ndeshjes së Grupit C të Euro 2024, ndërmjet Sllovenisë dhe Serbisë, e cila u zhvillua të enjten në Munih.
FFK dënon fuqimisht thirrjet nacionaliste dhe vendosjen e flamurit serb me hartën e Kosovës e me mbishkrimin “S’ka dorëzim”. Përsëritja e sjelljeve të tilla në stadiumet e futbollit, edhe pas dënimeve të mëparshme nga UEFA, është e papranueshme dhe kërkon rigorizitet më të madh nga organet vendimmarrëse të UEFA-së.
Mesazhet me retorikë shoviniste janë skandaloze, bien ndesh me vlerat që përçon sporti dhe minojnë parimet bazë të UEFA-së. I bëjmë thirrje edhe një herë organeve të UEFA-së që të jenë më rigoroze ndaj përsëritjes së mesazheve të tilla armiqësore ndaj vendit tonë, si anëtar i barabartë me të gjitha vendet e tjera në familjen e futbollit evropian.
Po ashtu, kërkojmë nga organizatorët të rrisin vigjilencën për të mos lejuar shfaqjen e mesazheve të tilla.
FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit dhe unitetin e respektin ndaj të gjithë të përfshirëve në futboll.