Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja e mbetur në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28; mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
‘’Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari I procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 21.12.2025, rreth orës 23:20, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një konflikti verbal, i pandehuri me qëllim që të privoj nga jeta ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës A.D., duke i shkaktuar plagë nga arma e zjarrit në abdomen, dorë dhe regjion femoral, për pasojë i dëmtuari i`u është nënshtruar operimit në QKUK -Prishtinë. Si dhe se i pandehuri me datë, kohë dhe vend të shënuar si më lartë tek pika e parë e dispozitivit, në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm lidhur me armët ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën e zjarrit të llojit CZ, modeli 70, kalibri 7.65 MM’’, thuhet në njoftim.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
