Gruaja nga Kosova dëshiron të shkojë në Zvicër që t’u bashkohet fëmijëve. Tani shteti duhet të kontrollojë nëse trashëgimia e saj është e mjaftueshme për një jetë atje.
Është një histori tipike e një familjeje emigrante. Në fillim të viteve 1990, menjëherë pas rënies së ish-Jugosllavisë, prindërit kishin shkuar në Zvicër me katër fëmijët e tyre nga Kosova dhe kishin ndërtuar një jetë të re në kantonin St. Gallen.
Kur fëmijët u rritën dhe babai mbushi 52 vjeç, prindërit vendosën të kthehen në atdheun e vjetër.
Pothuajse saktësisht 20 vjet më vonë, babai vdiq dhe nëna u kthye në Zvicër tek vajza e saj më e vogël, e cila tani jeton në kantonin e Cyrihut. Por kjo punë nuk është edhe aq e lehtë, sepse leja e qëndrimit në Zvicër e gruas tashmë 69-vjeçare ka kohë që i ka skaduar.
Zyra e Migracionit e Cyrihut ka refuzuar menjëherë kthimin e saj në Zvicër, shkruan tages Anzeiger. Të ardhurat e saj prej rreth 20,000 frangash nga pensioni i të vesë AHV dhe nga një pasuri modeste nuk mjaftojnë për të jetuar në Zvicër si një pensioniste e papunë pa përfitime suplementare (EL).
Por, vajza e gruas nuk e pranoi këtë vendim. Sepse, sipas saj, në fund të fundit, nëna e saj ishte trashëgimtarja e vetme e pasurisë së babait të saj. Dhe kjo pasuri përbëhet nga gjithsej 26 prona me sipërfaqe totale 63,000 metra katrorë dhe dy ndërtesa banimi me mbi 800 metra katrorë sipërfaqe banimi.
Sipas raportit vlerësues të një arkitekti kosovar, kjo trashëgimi ka një vlerë tregu prej pak më shumë se 830 mijë eurove, transmeton albinfo.ch. Vajza argumenton se kjo do të mjaftonte për të siguruar qëndrimin e pavarur të nënës së saj në Zvicër.
Megjithatë, drejtoria e sigurisë e refuzoi ankesën e tyre kundër vendimit negativ të zyrës së migracionit. Sipas saj, nuk është vërtetuar se nëna e familjes është trashëgimtare e vetme e pasurisë.
Tashmë Gjykata Administrative ka vendosur ndryshe, siç shihet edhe nga aktgjykimi i publikuar të hënën. Shkak për ndryshimin e qëndrimit është bërë një dekret zyrtar i trashëgimisë nga Kosova, të cilin vajza e ka dorëzuar më vonë. Kjo tregon se të katër fëmijët që jetojnë në Zvicër ia kanë bartur pjesën e tyre të trashëgimisë nënës së tyre.
Prandaj, gjykata ka udhëzuar Departamentin e Sigurisë që të merrte një vendim të ri. Në veçanti, duhet të sqarohet nëse trashëgimia realisht e ka vlerën e deklaruar nga familja dhe a mund të shitet edhe toka dhe patundshmëria në Kosovë.
Gjatë rivlerësimit të kërkesës për qëndrim, duhet të merret parasysh edhe fakti se familja ka qenë subjekt i tatimit në Zvicër për rreth dhjetë vjet (kur çifti ka jetuar në Zvicër). Përveç kësaj, pas kthimit, gruaja ka mbajtur kontakte të rregullta me fëmijët dhe nipërit e saj në Zvicër dhe është vizituar nga ata edhe në vendbanimin e saj.
Sipas vajzës, nëna e saj mund të komunikojë në gjermanisht. Gjykata shkruan se edhe kjo duhet të shqyrtohet.