Shkruan: Ben Andoni
Nuk ka ditë, javë, muaj apo vit, që të mos dalin dhe të shfaqen probleme dhe të adresohen apele ndaj një grupi njerëzish me kontribute thjesht anësore në shoqëri, që përbëjnë tashmë fasha “të gjera” referimi, sidomos për publikun e ri. Ndërsa në shoqëritë e kultivuara kapitaliste, fenomeni tashmë shënon dekada të tëra, në Shqipëri po realizohet tani. Njerëz të “showbiz” (si vajzat që gati i nxorën sytë koleges); këngëtarë pa zë, që janë pjesë të përhershme dhe të shpurave të politikës; prodhime të “Big Brother Albania” si dukuri hiçash me status; turili prodhimesh të emisioneve të formatit të talk show i tregojnë publikut sesi mund të fitosh lehtë dhe sesi mund të jesh në “qendër të vëmendjes” me “pak mundim” (duke zbuluar rëndom hiret dhe duke thënë mbroçkulla). Është kaq e vështirë sot të jetë protagonist publik një hero social, që bën jetë modeste dhe që përpiqet për përditshmërinë; një artist, që përpiqet në vetminë e tij artistike të bëjë të njohur artin apo të gjejë pak para për një shfaqje; të rinj të mbetur kudo Shqipërisë që përpiqen të mbijetojnë; për të mos kujtuar një plejadë të tërë njerëzish që po shuhen dhe kanë ndërtuar Shqipërinë, pa kërkuar asnjëherë privilegje.
Për fat të keq, disa nga produksionet, ku hiçat janë protagonistë, kanë publik shumë më të madh sesa ai që mund të sigurojë historia e bashkëmoshatarëve që përballojnë tashmë ngarkesa të mëdha dhe mbi të gjitha, po mbajnë barrën e Shqipërisë, gjithnjë e më të rëndë prej ikjes së njerëzve. Paradoksi ynë vazhdon pasi s’është se shqetësohemi më aq shumë për zjarret dhe klimën (vetëm kur i kemi në prag të shtëpisë), çmimet e frikshme dhe pasiguritë, por thjesht historitë e këtyre kinseve: si vishen, kë rrahin dhe idiotizmat e radhës. Nëse nuk do të ishte fenomen, që bota ka kohë që e përcjell dhe mundohet ta relativizojë nuk do t’ia vlente, por me përshfaqjen e disa paradokseve mund të përgatitet realisht publiku për kotësinë e hiçave. Gati një vit më parë, në mediat kryesore të Italisë, një mësues akuzonte me emër e mbiemër disa nga njerëzit më të njohur të show italian (Në Shqipëri, një nga presidentët i dekoroi, ashtu si një grup njerëzish pa vlera të spikatura në kulturë) që po e shkatërronin shoqërinë italiane dhe po i largonin italianët e rinj nga vlerat e mëdha të një kombi të madh si ai i tyre, që i fali aq shumë botës. Ndikimi i letrës ishte i pamat, por pak ditë dhe javë më vonë u harrua… E të mendosh kjo ndodhte në Itali, vendin e një kulture të paimagjinueshme dhe kuptohet të pakrahasueshme me tonën.
Noam Chomsky, mendimtari i pabarazisë, në një radiografi për shoqërinë amerikane ka treguar dy mënyrat sesi mund të bëhet demokracia, duke e shpjeguar te Ligjet e tij të pushtetit, që ai i shtjellon mes konceptit të burrë-shtetasve Medison dhe Xheferson. Kujdes, nuk po e ngremë stekën për personazhet që i referohemi, por të mundohemi të tregohet fenomeni. Në një syth të librit, ai i referohet Edward Bernays, që ka shkruar një libër të titulluar “Propaganda”, një term, që do t’i bëj gjëmën botës pak më vonë. Referenca lidhet me gati 100 vite më parë, kohë kur po lindte vetë Chomsky dhe shoqëria po njihet me një industri të re, atë që quhet marrëdhënie me publikun dhe influencë mbi njerëzit. Autori, referon Chomsky, i shpjegon objektivat me terma të themi medisonianë: sipas tij, vendi duhet të qeveriset nga “pakica e mençur”, pra nga ata dhe kushdo që do t’i bashkohej kësaj linje do të bëhej pjesëtar. Ishte pakica “e mençur” ajo që duhej ta drejtonte kombin amerikan në interes të popullsisë së gjerë. Nuk mund t’i lihej popullit detyra të merrte vendimet, sepse këto do të kishin qenë vendime të kobshme. Se ç’koncept kishte në këtë rast për popullin më mirë të mos e përmendim. Por sensi, sipas Chomsky-it ( këtu i referohet Uollter Lipman) mbetet që “opinioni publik duhet vënë në vendin që i takon”, që kështu njerëzit e përgjegjshëm të mund të vendosin pa ndërhyrjen e “kopesë së hutuar”. Në fakt është koncept që ha diskutime.
Me pak fjalë duheshin kontrolluar qytetarët, duke ua kushtëzuar opinionet dhe sjelljet e zakonshme. Dhe një nga mënyrat sipas teoricienëve amerikanë mbetej të “prodhoheshin konsumatorë”. Kjo ishte një ide e shtjelluar e Thorstejn Veblen. Nëse mund të fabrikosh nevojat, të bësh që qëllimi i jetës të jetë sigurimi i gjërave që serviren, do të arrihet që njerëzit të kthehen në konsumatorë dhe kështu do t’i zësh në kurth. Shqiptarët janë tashmë në këtë grackë, ku referimet janë të hiçave, që mbushin televizionet. Chomsky për ta bërë më të kuptueshëm argumentin e tij na përcjell propagandën e dikurshme të emancipimit femëror, që u bë përmes përdorimit të duhanit nga femrat, paçka se viktimat prej duhanpirjes janë të panumërt.
Historia përshkohet nga këto parime elitariste, shpjegon ai. Industria publicitare është zhvilluar pikërisht me këtë qëllim, fabrikimin e konsumatorëve dhe gozhdimin e njerëzve pas konsumizmit. E tillë është shoqëria jonë sot: të përcjellë në një konsumizëm dhe nën pushtetin e influencerave, një pjesë e të cilëve të frikësojnë me harbutërinë, paditurinë, mungesën e etikës së zakonshme dhe mbi të gjitha anakronisë. Kuptohet për këtë të fundit, ata akuzojnë (pa e ditur termin) publikun e pakët që po mundohet ta ruajë shoqërinë nga hiçat. E megjithatë, janë ata që e kanë kapur në grackë shoqërinë.
Objektivi është prej shumë dekadash i njëjtë: të kontrollohen të gjithë fashat e shoqërisë, që mund të derdhin para; të shndërrohet e gjithë shoqëria në një sistem të përkryer. Sistemi i përkryer është ai në të cilin shoqëria i ka themelet mbi një diadë, mbi një kopje, na thotë Chomsky. Këto kopje i bëjnë ti dhe televizori yt ose ti dhe ‘i-phone’ yt, apo mbase interneti: këto të thonë sesi është jetesa dhe madje çfarë duhet të bësh për shëndetin tënd (!), argumenton mendimtari. Kështu shpenzohen energji dhe kohë për të siguruar gjëra, të cilat nuk të duhen ose nuk i do, e ndoshta më vonë i hedh, sepse ky është metri që mat kinse një jetë të denjë… Po nuk bëre si ata, je i humbur. Ka raste që shoqëria zgjohet, si në ditët e fundit dhe, kupton paradoksin ku e kanë zhytur kinse emrat e njohur dhe një propagandë e frikshme, që prodhon konsumatorë të pavullnetshëm në mënyrë që të mbijetojnë hiçat e pafundëm, që na shoqërojnë sot ngado. Nuk ka vit, muaj, javë dhe ditë, që nuk apelohet, por sërish detyra mbetet e vështirë, para një gati amnezie që po e kaplon shoqërinë tonë.