Euro 2024, që nis të premten në Gjermani, pritet të zhvillohet në masa të rrepta sigurie me qëllim sigurimin e kushteve që kjo ngjarje e madhe e futbollit evropian të zhvillohet pa incidente.
Si pjesë e masave të marra nga Gjermania është edhe kontributi me forca policore nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në Euro 2024. Nisur nga kjo, edhe Policia e Shtetit do të japë kontributin e saj për garantimin e sigurisë gjatë Kampionatit Evropian të Futbollit.
Për një aktivitet sportiv të sigurt, 580 forca të huaja policore janë dislokuar në Gjermani, të vendosura kryesisht në stacione hekurudhore, aeroporte dhe pikat kufitare, krahas funksionimit të Qendrës Kombëtare të Bashkëpunimit Policor.
“Së bashku me shtetet, bashkitë dhe organizatorët e “EURO 2024”, Policia Federale Gjermane po punon për të siguruar një kampionat të sigurt evropian të futbollit. Patrullat e përbashkëta policore do të mbështesin policinë gjermane, duke ndërmjetësuar komunikimin dhe masat policore midis shtetit gjerman dhe tifozëve nga e gjithë Evropa.”, thuhet në njoftimin për shtyp nga Policia e Shtetit.
Nga Policia e Shtetit Shqiptar janë dërguar në mbështetje të Policisë Federale Gjermane 16 punonjës policie, 10 të dislokuar në terren dhe 6 oficerë të nivelit të lartë, nga të cilët 2 të vendosur në Qendrën Kombëtare të Bashkëpunimit Policor në Neus dhe 4 të tjerë do të shpërndahen në qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet e Ekipin Kombëtar të Shqipërisë.
Punonjësit e Policisë së Shtetit janë certifikuar nga Ministria e Brendshme Gjermane, pas trajnimit të zhvilluar për patrullim të përbashkët.