I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak gjatë një bisede të zhvilluar në organizatën amerikane Këshilli Atlantik qartazi kanë paralajmëruar Kosovën dhe Serbinë se nuk e kanë lluksin të presin. Këto paralajmërime bëhen në kohën kur situata në veri të Kosovës është e tensionuar.
Dy emisarët, Escobar e Lajçak njëzëri kanë bërë thirrje ndaj Kosovës dhe Serbisë që të ulën sa më parë në tavolinën e bisedimeve dhe të shtensionojnë situatën në veri.
Mirëpo, që të dy patën edhe paralajmërime ndaj Kosovës dhe Serbisë se puna mes dy vendeve duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti.
Arsyet kryesore pse duhet të kryhet çështja mes Kosovës dhe Serbisë është për shkak që edhe në SHBA edhe në BE do të ketë zgjedhje të reja dhe kjo sipas tyre, do të mund të vështirësojë më shumë punën.
Lajçak ka thënë se nëse nuk ka zbatim të marrëveshjes atëherë mund të jetë një lojë e re nëse implementimi i marrëveshjes shtyhet për vitin e ardhshëm.
“Nuk mendoj se kemi kohë që të jemi strategjikisht durimtarë, ne kemi zgjedhje në Evropë dhe zgjedhje presidencale në ShBA, dhe nuk besoj që Kosova do të jetë qendra e vëmendjes. Kështu që, unë besoj që duhet të finalizojmë punën deri në fund të këtij viti, ne mund të jemi në një lojë të re komplet pas këtyre zgjedhjeve. Unë mendoj që ne duhet të kthehemi në tavolinën e negociatave, sa më parë.” – ka thënë ai në një bisedë në Këshillin Atlantik të martën më 20 qershor.
Me këtë deklarim u pajtua edhe Escobar.
“Pajtohemi, duhet të kemi implementim sa më parë. Serbia duhet të mendojë se si do të implementojnë palët e tyre, që do të thotë njohje e simboleve, flamurit të Kosovës, duke përfshirë integrimin e saj në BE.” – ka thënë ai.
Ndër të tjera, Escobar e Lajçak u shprehën të shqetësuar për situatën në veri të vendit, ku paralajmëruan se mund të shndërrohet në një konflikt rajonal.
“Jam shumë i shqetësuar, kjo situatë ka potencialin të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe konfrontim rajonal dhe kjo është arsyeja përse ne po i mbështesim kaq fort përpjekjet evropiane. Kjo duhet të jetë përpjekje evropiane sepse të dy vendet janë në Evropë, aspirata më e lartë e tyre është integrimi në Bashkimin Evropian. Gjithashtu si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, do të donim ta shihnim atë pjesë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kështu që ne duam një proces që ulë shqetësimet e pesë vendeve mosnjohëse dhe ky duhet të jetë proces evropian, por kjo nuk do të thotë se ne qëndrojmë pasiv.” – ka thënë Escobar.
Të njejtën gjë e paralajëmroi edhe Lajçaku që tha se nëse nuk ulën tensionet situata mund të eskalojë.
“Mendoj se momenti është shumë i rëndësishëm dhe shumë kritik në kuptimin që ne duhet të diskutojmë hapat e mëtejshëm. Situata është shumë e vështirë, jam shumë i shqetësuar. Që nga 26 maji ka njerëz që po qëndrojnë në rrugë, ka policë të Kosovës, ka forca të KFOR-it ndërsa tashmë kemi parë një seri incidentesh, prandaj vlerësoj se përparësi është shtensionimi i situatës. Të largohen njerëzit nga rruga, palët t’i kthehen dialogut dhe padyshim pjesë e këtij procesi është organizimi i zgjedhjeve të reja me pjesëmarrje të komunitetit serb pa parakushte. Nëse nuk arrijmë të bëjmë këtë atëherë mund të ketë viktima dhe nuk mund ta përballojmë këtë.” – ka thënë ai.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm të shkojë në takim me Vuçiqin, mirëpo deri më tani nuk ka ndonjë datë se kur do të ketë takim mes tyre. /Nacionale