I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Gjatë një bisede me gazetarë, Escobar tha se çështja e Asociacionit dhe e disa çështjeve që kanë të bëjnë me minoritetin serb, që nuk janë përmbushur, kanë qenë kërkesa të vazhdueshme.
“Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos ketë votat për Këshillin e Evropës”, tha Escobar më 8 maj.
Ai tha se SHBA-ja nuk ka votë në këtë organizatë evropiane për të drejtat e njeriut, por qëndrimi i Uashingtonit është që Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara “dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”.
“Sa i përket integrimit evropian, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë aleatët e saj evropianë dhe të punojë me aleatët evropianë, teksa ne forcojmë kandidaturën e Kosovën në të gjitha strukturat euroatlantike”, shtoi ai.
Kosova veçse ka kaluar dy faza në rrugën drejt pranimit në KiE. Megjithatë, vendimi final për pranimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë mund të merret më 16 maj, kur të takohen ministrat e Jashtëm të kësaj organizate.