I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili gjendet për vizitë në Kosovë ka zhvilluar sot takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, që zgjati rreth dy orë. Escobar doli para gazetarëve para pak minutash, ku tregoi shkurtimisht për atë që është diskutuar.
Escobar e quajti takimin një diskutim të mirë me kryeministrin Kurti ku tregoi se ia ka bërë disa propozime të cilat ai shpreson se kryeministri do t’i marrë parasysh.
Tutje ai u shpreh se çdo gjë që ShBA ka bërë në vitet e fundit, ka qenë në favor të Kosovës ku sipas tij ShBA ka mbështetur Kosovën në të gjitha proceset demokratike.
“Mund të them që patëm një diskutim të mirë. Kryeministri do t’i marrë parasysh disa propozime që i kam bërë sot. Çdo gjë që kemi bërë këto vite ka qenë në favor të Kosovës. E kemi mbështetur Kosovën në të gjitha proceset demokratike. Kemi qendërzuar përkrah Kosovës. Kosova të dëgjojë brengat tona dhe nuk do të duhej të ishte e vështirë. “ – tha Escobar.
Duke folur për rregulloren e BQK-së, e cila e ndalon dinarin, Escobar tha se gjatë vizitës së tij do të angazhohet për të gjetur mënyra për të ecur përpara.