Të premten, gazetari i njohur gjerman, Erich Rathfelder, shpallet “Qytetar Nderi” i Rahovecit. Me këtë titull ai do të nderohet nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Titulli “Qytetar Nderi”, gazetarit gjerman, Rathfelder, i jepet për raportimin e drejtë dhe profesional të tij lidhur me Kosovën, që nga vitit 1987 deri më sot, transmeton Radio Kosova.
Në mënyrë të veçantë Rathfelder mbahet mend për raportimet e tij të guximshme për krimet e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë, përkatësisht në Rahovec kur ndodhi masakra e madhe ndaj qytetarëve rahovecianë.
Në muajin gusht 1998, Rathfelder kishte raportuar në mediet gjermane për masakrën në Rahovec dhe zbulimin e varrit masiv në këtë qytet.
Për shpalljen e gazetarit gjerman, Erich Rathfelder, ka shkruar edhe gazeta gjermane TAZ (Tageszeitung) ku Rathfelder raporton me vite të tëra për zhvillimet në Ballkan.
TAZ në artikullin ku flitet për titullin, që Rathfelder merr të premten nga Komuna e Rahovecit, pasi uron gazetarin e tyre, Erich Rathfelder, për nderin që i bëhet në Rahovec, e cilëson atë “njeri që ka në mendje gjithmonë dinjitetin e njerëzve”, teksa shkruan se ky është një “nder i vonuar nga një qytet i vogël në Kosovë”:
“Një pikë kthese ishte zbulimi në gusht të vitit 1998 i varrit masiv në Rahovec, një qytet i vogël në Kosovë, ku korrespondenti i TAZ-it, së bashku me një koleg amerikan, ndoqën gjurmët e një masakre të kryer nga serbët dhe varrin masiv me qindra civilë kosovarë”, shkruan TAZ.
“Pa raportimet e Erich Rathfelder-it, gazeta “Tageszeitung” nuk do të ishte kjo që është”, thuhet tutje në artikull, ku gjithashtu theksohet se “Erich Rathfelder që nga viti 1986, si redaktor i Evropës Lindore, e deri më sot, si korrespondent në Sarajevë, ka punuar pa u lodhur”.
“Reliktet e stalinizmit dhe tërbimi i trashëgimtarëve të tij fashistë nga Millosheviqi në Beograd e deri te Putini në Moskë, ishin dhe janë armiqtë e tij të deklaruar. Në atë kohë Kosova ishte ende pjesë e Serbisë dhe ushtria serbe kryente krime mizore kundër popullatës civile në luftën kundër UÇK-së.
Raportet e botuara në TAZ më 5 dhe 6 gusht 1998, e vunë jetën e tij në rrezik.”
Raportimi i Rathfelderit për masakrën e Rahovecit, të kryera nga ushtria dhe policia serbe dhe varrezën masive, ishte bërë shkak që Rathfelder të shpallej person “non grata” (person i padëshiruar) nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
“Edhe sot e kësaj dite, disa të ashtuquajtur të majtë e akuzojnë Erich Rathfelderin se ka nxitur luftën e NATO-s në Kosovë gjashtë muaj më vonë dhe pretendojnë se ai “shpiku” masakrën e Rahovecit. Por, vendasit që e nderojnë e dinë më mirë të vërtetën. Erich Rathfelderit do t’i jepet titulli “Qytetar Nderi” në Rahovec, ndërsa do të ketë edhe festime dhe nderime nga shteti i Kosovës”, theksohet në artikullin e gazetës gjermane “Tageszeitung” (TAZ).
“Libri i tij “Kosova, Historia e një Konflikti”, tashmë i ribotuar disa herë dhe shumë i kërkuar në Shqipëri, në përkthimin shqip, po prezantohet tashmë edhe në Kosovë, si një libër i rëndësishëm në një rajon ku mungon objektiviteti dhe historiografia”, theksohet në artikull.
“TAZ përgëzon Erich Rathfelder për këtë nder të vonuar prej kohësh”, thuhet mes tjerash në artikullin e kësaj gazete, ku njoftohet për titullin “Qytetar Nderi” që Rathfelder merr të premten në Rahovec.
Ndërkaq, sonte Erich Rathfelder, korrespodent për Ballkanin i gazetës Tageszeitung të Berlinit, në ora 18.00 do të jetë në tryezën e rrumbullakët në bashkëbisedim me historianin Durim Avdullahu në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” duke marrë shkas botimin e librit të z. Rathfelder në shqip: “Kosova – historia e një konflikti”.