Vendi ynë po vazhdon të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, në ndërkohë një ciklon i fuqishëm i cili gjendet mbi Itali, do të arrijë të premten (nesër) pasdite në formë frontale mbi vendin tonë.
Pra, dita e premte do nisë me diell dhe vranësira, të cilat më të shtuara do të jenë në perëndim të vendit apo në Rrafshin e Dukagjinit, ku nuk përjashtohet mundësia për ndonjë reshje të izoluar shiu.
Menjëherë pasdite do të kemi kalimin e shpejtë të sistemit frontal nga perëndimi i vendit, i cili do të sjellë rrebeshe shiu, lokalisht të vrullshme dhe mundësi për shkarkesa elektrike. Sistemi do të jetë më i fuqishëm në perëndim të vendit, ndërsa duke vazhduar drejt lindjes do të fillojë të humbasë intensitet. Reshje parashihen edhe në orët e mbrëmjes në zona të caktuara.
Po ashtu, gjatë ditës priten edhe erëra mjaft të fuqishme nga jugpereëndimit, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit, në momente të caktuara me shpejtësi maksimale deri në 100 km/h, ndërsa në zonat malore edhe mbi 100 km/h!
Temperaturat maksimale do të lëvizin prej 20 deri në 25°C në shkallë vendi, ndërsa ulje e ndjeshme gjatë kalimit të frontit.